Kur puna jote dhe e burrit mishërohet në një ditë si kjo!

Shkruan Blerta Ahmeti
Kur puna jote dhe e burrit mishërohet në një ditë si kjo!
Jo shpesh na bjen me qene në të njëjtin vend të ngjarjes, sepse përballja me të në terrene të vështira ma vështirëson punën time, çështje ndjenjash.
Por kur jemi bashkë në të njëjtin vend, mundohemi të japim maksimumin, secili në bazë të përshkrimeve të punës së vet, unë gazetare e ai polic i Njësisë Speciale.

Është i njëjti person, por kur e veshë uniformën, sytë i shkëlqejnë ndryshe.
Secila kërcitje që shkaktohet pas mbërthimit të pajisjeve që vë pas uniformës, mua më duket se ja drejton trupin edhe më shumë, ja nxjerrë në pah muskujt dhe bashkë me ftohtësinë e armatimit që ka, i ftohen edhe emocionet e fytyrës.
Antiplumbi rreth 12 kg, përveç trupit, ia mbulon edhe emocionet e zemrën e butë.

Por diçka nuk i ndryshon, dashuria!
Ndjenja e pastër që ushqen për punën që bën, gatishmëria për të shërbyer nga 18 orë pa ndërprerë, në këmbë, në dritë e në terr, në shi e diell, në qytet e në kufij.
Krenarinë nuk ja then asnjë ofendim, asnjë e sharë, asnjë nënçmim e gurë që mund të marrë gjatë patrullimit.
Nuk e shkundin as të shtyrat që merr nga protestuesit!

Ai nuk e thotë asnjëherë, por unë e di që është i gatshëm të jap edhe jetën në zbatim të detyrave që merr. Për njerëzit, për shtetin, për republikën.
E ka dëshmuar disa herë, në protesta, në arrestime, në ruajtje kufijsh, në… kudo që i është kërkuar. Në çdo kohë!
Njëjtë i ka edhe shokët. Kur bëhen bashkë çdo gjë rreth tyre shumëfishohet. Guximi, motivi, qëndrueshmëria! Kur i shoh në grupe, ndjenja që më transmetojnë është e papërshkrueshme, ky lloj i emocioneve nuk ka emër.
Sa të madhe e kam krenarinë për të, aq e kam edhe frikën.

Sa herë vishet me rrëmbim për të dalë nga shtëpia, druaj se ajo është hera e fundit që e shoh. Unë e Borea e përqafojmë fort, për t’ia ruajtur aromën deri në takimin e radhës, që sigurisht është larg, pas shumë orësh, nganjëherë pas shumë ditësh.
Kjo është Policia e Kosovës, djemtë, burrat e baballarët tanë!