Tash e dy ditë Kosova është duke u përball me të nxehtin afrikan, ku temperaturat kanë arritur deri në 30 gradë, me ç’rast ky i nxehtë ka shkaktuar erërat e forta dhe një sasi të pluhurit.
Profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar prejardhjen e këtij nxehti dhe origjinën e këtij pluhurit, fenomen ky që në Kosovë kishte ndodhur në vitin 1954.
Tahirsylaj thotë se kjo sasi e pluhurit dhe ngritja e temperaturave kanë bërë të ketë një shpejtësi të madhe të erës e që në vend shkaktoi edhe shumë dëme infrastrukturore.
“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë, nën ndikimin e masave ajrore nga jug/lindje, përkatësisht nga Afrika Veriore, këto masa e kanë shkaktuar problemin në Kosovë, në radhë të parë sasia e pluhurit që ka ardh nga Afrika në vitin 1954 sipas të dhënave të Institutit Hidrometerologjik të Kosovës ka qenë bora e kuqe, domethënë ato masa kanë depërtuar dhe po ashtu është përsërit ky fenomen, që kemi pas një sasi të pluhurit dhe ngritjen e temperaturave mbi vlerat mesatare për këtë sezonë por njëkohësisht shpejtësia e erës ka qenë e madhe ku ka shkaktuar një dëm të madh në infrastrukturën e Kosovës”, ka thënë Tahirsylaj për Insajderin.
Sipas profesorit, Tahirsylaj, i nxehti afrikan do të tejkalohet ku ka theksuar se gjatë javë do të ketë edhe reshje shiu me ç’rast do të ketë edhe rritje të nivelit të liqeneve akumuluese në vend.
“Kjo gjendje është e tejkalueshme dhe faktikisht javën që vjen do të ketë edhe reshje shiu edhe duke filluar nga dita e hënë, e martë dhe e mërkure, por ka mundësi edhe nesër pasdite por me siguri do të ndodh në ditët në vijmë që këto janë reshjet më të mëdhaja që e kanë efektin pozitiv për krijimin e kushteve domethanë të zhvillimit të kulturave bujqësore dhe këto janë shumë, shumë të rëndësishme do të rrit edhe nivelin e liqeneve akumulues për nevojat e popullatës”, ka thënë Tahirsylaj.