Kur do të kemi transport publik falas?!

Gjatë fushatës zgjedhore, kryetarja e re e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska premtoi transport publik falas, po qytetarët ende nuk e shohin askund këtë premtim. Reterimet tashmë kanë filluar, sepse e ftuar në një emision në Kanal 5, ajo foli për realizim në faza dhe se pas përfundimin e fazës së parë nevojiten gjashtë muaj për analiza, ndonëse në fushatë thoshte se analizat tashmë janë bërë.

“Nuk do të duhen më shumë se gjashtë muaj për përfundimin e procesit të fazës së parë, në fazën e dytë kalojmë në atë që të sigurojmë autobusë të ri, e cila është e domosdoshme. Tani kemi nisur me premtimin e 82 ditëshit të parë, me revidimin e linjave të autobusëve që janë momentalisht dhe të rregullohen linjat e orarit të natës”, deklaroi Arsovska.

Duke diskutuar për premtimin për transportin falas, Arsovska gishtin ka nisur ta drejtojë edhe kah drejtori i Ndërmarrjes për Qarkullim Publik, duke thënë se ka autobusë që nuk janë vërë në funksion dhe se ndërmarrja ka 12 milionë euro humbje. Nga kjo ndërmarrje për TV21 thanë se pandemia me COVID-19 u ka dhënë një goditje të madhe financiare që rezultoi në humbje dhe se bëhet fjalë për 2.5 milionë euro.

“Së pari, nuk është e vërtetë që kemi 12 milionë euro humbje, por bëhet fjalë për 2.5 milionë euro, që qëndron edhe në raportin nëntëmujor për funksionimin e NQP-së në periudhën janar-shtator 2021.
Humbjet nuk janë nga dje, as nuk janë rezultat i punës tonë gjoja të papërgjegjshme. Jemi të hapur për bashkëpunim dhe për të dhënë llogari për çdo qindarkë të shpenzuar”, thanë nga NQP Shkup.

E para e Shkupit tha se do të ketë referendum që shkupjanët të zgjedhin se cili opsion është më i miri si zgjidhje për transportin publik, nëse e duan projektin që e propozoi kryetari paraprak Shilegov për transport të shpejtë të autobusëve (BRT) ose 250 eko-autobusë, siç rekomandon Arsovska. TV21 pyeti qytetarët se cilën e shohin si zgjidhjen më të mirë, projekti autobusë-metro ose autobusë shtesë.

“Ashtu siç paralajmëron kryetarja e re”.
“Ai nuk ka bërë që të ketë autobusë e ku më metro, ka shumë tollovi le të vijë të shoh se çfarë po ndodh. Në një autobusë 50 persona, ndërsa kemi korona”.

“Më mirë autobusë të ri, sesa metro. Për metro duhet periudhë gjatë, më mirë me të vjetrën”.
“Unë jam pro, por nuk e di a ka mundësi të realizohet ajo në qytetin tonë”.
“Në disa linja ka shumë pak autobusë, ja unë jam nga Lisiçja, 7 ka në 20 minuta, e nëse ka kolona në Qendër presim edhe më shumë”.

Arsovska ka bërë të ditur se autoritetet e mëparshme të qytetit për BRT kanë planifikuar të shpenzojnë 70 milionë euro pa miratim të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe tha se qytetarët nuk janë konsultuar. Sistemi BRT ose i quajtur gjerësisht “metroja e autobusëve” ishte një nga projektet kryesore të shpallura dhe të nisura nga administrata e mëparshme e qytetit të drejtuar nga Petre Shilegov.