Kur do të diskutojë Qeveria për masat e reja anti-Covid?!


Masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19 sipas ministrit të Shëndetësisë do të bëhet në përputhje me Kushtetutën. Ministri Venko Filipçe tha se edhe po të ketë pengesë juridike, do të kërkohet zgjidhje.
“Rreth masave që po rekomandojmë tani…pamë që ka ekspertë juridik që tregojnë nëse një pjesë e masave janë apo jo në përputhje me Kushtetutën. Ne po marrim përvojat, mësimet, dhe kahjet nga vendet por edhe nga përvoja e deritanishme, dhe të vetëdijshëm se në periudhën në vazhdim mund të ketë grupime familjare me numër të madh të njerëzve, të cilët mund të formojnë mini-kllasterë, është normale dhe logjike t`i ndalojmë. Mbrojtja e shëndetit është prioritet. Thelbi është që të parandalohen grupimet dhe të mbahen maskat, nëse ka ndonjë pengesë juridike, besoj se do të gjejmë mënyrë për ta tejkaluar, sepse kjo duhet të jetë prioritet”, tha Filipçe.

Shume ekspertë juridik kanë vënë në dilemë kushtetutshmërinë e disa prej masave të reja të paralajmëruara nga Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive.
Një nga masat e reja kundër Covid-19 parashikon kontrolle nëpër shtëpi në raste se ka denoncime që në atë adresë ka më tepër se 4 mysafirë, sipas disa ekspertëve kjo bie ndesh me Neni 26 nga Kushtetuta së RMV-së.

Masë tjetër kontradiktore është edhe bartja e maskave edhe në hapësira të jashtme.
Filipçe nuk përjashtoi mundësinë që qeveria të ketë mbledhje të jashtëzakonshme, por që sipas tij me gjasë Qeveria për propozim masat do të diskutojë gjatë ditës së martë.