Ermal Mamaqi ka ardhur me një rrëfim ndryshe në rubrikën “Galeri” tek E Diell, ku ka folur gjatë për fëmijërinë e tij dhe jetën personale.
Ai është kthyer pas në kohë dhe ka treguar momentin, kur pa dijeninë e prindërve e ka djegur vetë provimin për t’u futur në shkollën e mesme për ekonomik, pasi dëshira e tij e madhe ishte të ndiqte Liceun për kanto.
Ermal Mamaqi: Shkova në Ekonomik, e bëra testimin, i dija pyetjet dhe e bëra zero, domethënë i bëra gabim.
Edi Manushi: Ti shkove tek konkursi për shkollën e mesme Ekonomik?
Ermal Mamaqi: Për shkollë të mesme dhe e sabotova. Ngela vetë dhe këtë nuk e dinte asnjë njeri dhe nga ana tjetër, unë përgatitesha për Lice në kanto me hallën time që në atë kohë ka qenë këngëtare e famshme e muzikës klasike në Opera, Fitore Mamaqi. Ndërkohë bëra konkursin në Lice dhe fitova. E vendosa vetë fatin e jetës sime dhe aty filloi sepse e kuptova që unë dua të bëj artistin.