Kundërshtohet ndërtimi i xhamisë në Prishtinë (VIDEO)

Në Prishtinë sot një numër i vogël i qytetarëve kanë protestuar kundër ndërtimit të xhamisë së madhe në Prishtinë. Ndonëse disa protestues thoshin se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por kundër modelit që është përzgjedhur, disa protestues të tjerë ishin kundër ndërtimit në atë vend. Në të njëjtën kohë është zhvilluar edhe një protestë nga disa qytetarë, të cilët protestonin kundër qytetarëve që e kundërshtonin ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet.

Fatime Ahmeti, banore në lagjen “Dardania”, tha se është kundër ndërtimit të xhamisë, derisa potencoi se si lagje kanë nevojë për çerdhe dhe për jetë kulturore. Ajo tha se do të ankohet edhe në Komunën e Prishtinës rreth ndërtimit të kësaj xhamie.

“‘Dardania’ ka nevojë për jetë kulturore, fëmijët tanë nuk kanë ku të luajnë, nuk kemi parkingje, ju shkoni në ‘Dardani’ këqyrni, se unë jam që 42 vjet në ‘Dardani’, gati jam banorja më e vjetër e ‘Dardanisë’, nuk kemi kinema, janë mbush lokale na e kanë uzurpuar edhe gjelbërimin qysh po donë edhe xhamia të na uzurpojnë. Unë jam kundër, unë po them sot do të shkoj në bashkësi lokale, do t’i tuboj popullatën e ‘Dardanisë’, nuk do të ndërtohet xhamia”, tha ajo.

Një qytetar tjetër, tha se banorët e lagjes së “Ulpianës” dhe të “Dardanisë” do të kenë probleme për shkak të zhurmës nga xhamia. “Ndërtimi i kësaj xhamie me katër minare do t’i shkaktojë kokëçarje të madhe kësaj lagje ‘Ulpianës’ dhe ‘Dardanisë’, siç e kanë zakon këta t’ia lëshojnë zërin lartë. Këtu banorët në orën 04:00 në mëngjes do të zgjohen dhe fëmijët në djep do të trishtohen”, tha ai. Por, kundër këtyre qytetarëve që protestonin kishin dal disa qytetarë të tjerë, të cilët e quanin të pakuptimtë kundërshtimin që besimtarët myslimanë të kenë një objekt të tyre.

Qytetari Blerim Ejupi, tha se në Kosovë janë mbi 95 përqind e popullatës myslimane dhe është e drejtë elementare që besimtarët të kenë xhaminë e tyre.