Kumanovë, shkolla e mjekësisë me klasa të improvizuara

Shkolla e mesme teknike në Kumanovë, paralelja në gjuhën shqipe procesin mësimor e zhvillon në klasa të improvizuara me baraka. Pamjet dëshmojnë se afër 40 nxënës në një klasë dhe me kushte minimale, ballafaqohen çdo ditë me vështirësi gjatë procesit edukativ. Interesimi i nxënësve për drejtimet teknike dhe mjekësore është shumë i madh, por mungesa e kushteve optimale vështirëson edukimin. Edhe pse objekti ishte improvizuar si zgjidhje e përkohshme, gati 10 vite mësimi zhvillohet në këto hapësira. Drejtori i shkollës, Nexhmedin Saliu thotë se situata bëhet edhe më e vështirë si pasojë e pandemisë, ku ruajtja e distancës është pothuajse e pamundur.

Kushtet objektive të objektit fizik janë problematike. Objekti është shumë i vjetër, nuk është i adaptuar për klasa dhe për mësim. Ka nevojë për më shumë nyje sanitare pasi kemi shumë nxënës por kur nuk ke shi bën edhe breshëri – u shpreh Nexhmedin Saliu, Drejtor i SHMKT “Nace Bugjoni”, Kumanovë.
Prej më shumë se 10 vite premtohet që njëra nga shkollat e mesme, gjimnazi “Sami Frashëri” ose shkolla teknike të transferohet në ish kazermat e shtetit, pranë shkollës së mesme ekonomike, por deri tani nuk është ndërmarr veprim konkret në këtë drejtim. Saliu fajin ia adreson pushtetit lokal.

Prej 11 viteve nuk kemi asnjë përgjigje. Për bartjen e shkollës kompetent është kryetari i Komunës por ai asnjëherë nuk më ka kërkuar për më treguar cila është përgjigja dhe çfarë duhet punuar. Sado që punojmë, sado që japim para, harxhojmë dhe adaptojmë, bazamenti i këtij objekti nuk është për shkollë – tha Nexhmedin Saliu, Drejtor i SHMKT “Nace Bugjoni”, Kumanovë.

Nga Komuna e Kumanovës, kërkuam qëndrim deri ku janë adresuar kërkesat për transferimin e shkollës në objektin e ish kazermave, por deri në këto momente nuk kemi marr përgjigje për pyetjet e adresuara në postën elektronike të komunës. Në shkollën e mesme teknike, paralelen në gjuhën shqipe mësimin e ndjekin mbi 1.170 nxënës të ndarë në 38 paralele dhe tre drejtime bazike: makineri, elektro dhe mjekësi. Kushtet dhe kabinetet për punë praktike janë përshtatur në hapësira të bodrumeve. Për dallim nga paralelja në gjuhën shqipe, shkolla amë me mësim në gjuhën maqedonase posedon numër të përgjysmuar të nxënësve por kushte me standarde evropiane.