Kumanovë, rritje e madhe e të in*fektuarve me Covid-19

Në rajonin e Kumanovës ditëve të fundit po regjistrohet rritje drastike e numrit të të inf*ektuarve me virusin Korona. Në Repartin In*fektiv pranë Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë për momentin janë të hospitalizuar 23 pacientë, në spitalin modular 46 pacientë, ndërkaq në spitalin ditor po trajtohen gjithsej 50 pacientë. Në spitalin modular të lira kanë mbetur vetëm edhe 8 shtretër.

“Gjendja epidemiologjike me virusin Korona në rajonin e Kumanovës paraqitet e rënduar, pasi që vetëm javët e kaluara kemi trefishim të rasteve pozitive. Marrim shembull muajin gusht ku që nga fillimi i këtij muaji kemi 856 raste pozitive, vetëm javën e fundit kemi regjistruar 454 raste, ndërkaq sa i përket 3 ditëve të fundit, regjistruam 154 persona me Covid-19. Vlen të thuhet se vetëm gjatë javës së kaluar patëm 16 vde*kje nga kjo sëmundje.”,- tha drejtori i QSHP – Kumanovë, Arif Latifi.
Arifi na njoftoi se me rritjen e numrit të të inf*ektuarve është rritur edhe interesimi për kryerjen e PCR testeve, ai gjithashtu apeloi edhe për vaksinim sa më masiv.

“Interesimi i qytetarëve për të bërë testin PCR është rritur. Në ditë realizojmë deri në 100 testime, nga të cilët nga 40% deri 50% rezultojnë pozitiv. Unë u apeloj qytetarëve që t’i respektojnë masat e caktuara nga Qeveria dhe M.Sh., si dhe të vaksinohen sa më shumë, pasi që me anë të vaksinimit mbrohemi nga format e rënda të kësaj sëmundje si dhe shpëtojmë jetën tonë dhe të familjarëve tanë.”- tha Latifi.
Ndryshe, aktualisht në rajonin e Kumanovës numri i rasteve aktive me Covid-19 arrin shifrën 768.