Kumanovë, interesim i madh për vaksinim kundër Covid-19

Shtohet interesimi për vaksinim në Kumanovë. Nga Shtëpia e Shëndetit thonë se ka doza të mjaftueshme të vaksinave. Për momentin qytetarët po vaksinohen me Pfizer, Sinovac dhe Astra Zeneca. Në Kumanovë dhe rrethinë janë aplikuar mbi 70 mijë vaksina.

Procesi i vaksinimit po rrjedh sipas dinamikës së paraparë. Vaksina ka mjaftueshëm dhe rregullisht furnizohemi me vaksina. Me shtimin e masave restriktive shohim një interesim më të madh nga ana e qytetarëve për të pranuar vaksinën. Deri tani janë aplikuar mbi 70 mijë doza, rreth 40 mijë me dozën e parë ndërsa 30 mijë me dy dozat”, tha Valdrin Miftari, Koordinator i Qendrës së vaksinimi, Kumanovë.
Mjekët bëjnë apel që qytetarët të vaksinohen në mënyrë masive si formë e vetme për t’i dhënë fund pandemisë. Së fundi në Kumanovë është vërejtur edhe interesimi për t’u vaksinuar tek moshat nën 18 vjeç.

U bëj apel qytetarëve të vijnë dhe të vaksinohen. Të gjitha vaksina janë efikase dhe të sigurta. Kanë kaluar të gjitha fazat e studimeve. Janë mënyra më e mirë për të parandaluar gjendjet e rënda dhe për t’i dhënë fund pandemisë. Ka interesim të shtuar tek moshat e reja nga 12-18 vjet për t’u vaksinuar. Në qendrën tonë janë vaksinuar rreth 600 persona të kësaj moshe”, theksoi Monaliza Memeti, mjeke.
Qytetarët janë të kënaqur me shërbimin mjekësor. Thonë se nuk presin me shumë se 15-20 minuta dhe bëjnë apel që qytetarët të vaksinohen.

“Kam marr dozën e parë sot isha për dozën e dytë. Ju bëj apel gjithë popullit të vijnë dhe të vaksinohen. Nuk prita as 20 minuta për t’u vaksinuar”.
“Shërbimi është i mirë. Njerëzit punojnë. Kjo vaksinë është e nevojshme sepse shikoni sa janë infektuar. Për këtë arsye është vaksina, të shpëtojë populli”.

“Prita 10-15 mina. Normal duhet të vaksinohet çdo një qytetarë i cili ka nevojë të vaksinohet”.
Një ekip mobil ishte vendosur edhe jashtë qendrës së vaksinimit për personat e palëvizshëm dhe ato me handikap.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë Kumanova bën pjesë ne grupin e qyteteve me nën 35 për qind të vaksinuar dhe mbi 45 vdekje gjatë muajve qershor-gusht. Së shpejti pikë e re vaksinimi pritet të hapet edhe në Komunën e Likovës.