Kumanovë, 26 raste të reja, prej tyre 25 në Likovë

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit nga 26 rastet në rajonin e Kumanovës, madje 25 janë në komunën e Likovës. Në këtë komunë numri i personave të prekur ka arritur në 146 nga të cilët madje 82 janë raste aktive, që është shqetësuese për një komunë çfarë është Likovë. Ndërkohë, sot është regjistruar edhe një viktimë, pasi që ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga fshati Nikushtak, duke e çuar në 6 numrin e viktimave.

“Në 24 orët e fundit i kemi 26 raste pozitive, një në komunën e Kumanovës dhe 25 të tjera me COVID-19 në komunën e Likovës, gjithashtu në Likovë kemi edhe një rast vdekje.”,- tha drejtori i QSHP – Kumanovë, Arif Latifi.

Ekipet mobile të Qendrës për Shëndet Publik po vazhdojnë edhe sot me testimet masive në komunën e Likovës, ku janë kryer mbi 80 teste të reja.

“Deri në këto momente janë realizuar 80 teste, ekipet tona janë ende në teren duke punuar dhe besoj se numri i testimeve do të rritet, normal nëse banorët e komunës së Likovës pranojnë të testohen”,- shtoi Latifi.

Ndërkohë, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë, për shkak të rritjes marramendëse të numrit të të prekurve nga virusi Korona në komunën fqinje të Likovës, ka sjellë vendim që kësaj komune t’i dalë në ndihmë me të gjitha mjetet e disponueshme për t’u përballur me virusin Korona.

Shtabi i Kumanovës gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria e RMV-së, të përgatisë plan të posaçëm të veprimit në këtë komunë, sepse komunat e Likovës dhe Kumanovës janë komuna territorialisht të lidhura, me gravitim të madh të popullatës nga njëra komunë në tjetrën, me qëllim që të zvogëlohen rreziqet nga epidemia, me qëllim që Kumanova të mbrohet nga rikthimi i epidemisë.