Kumanova shpallë Bujar Osmanin policin më të mirë

Komuna e Kumanovës edhe këtë vit ka vazhduar traditën për shpalljen e policit dhe zjarrfikësit më të mirë të vitit.
Me propozim të kolegëve të tij, polic më i mirë për vitin 2020 është shpallur Bujar Osmani, nga stacioni policor për siguri në rrugë dhe për trafik pranë SPB Kumanovë, kurse Dalibor Kolevski është shpallur zjarrfikësi më i mirë nga Njësiti territorial i zjarrfikësve.

Për dallim prej viteve tjera, ndarja e çmimit është bë në mënyrë më modeste. Ata bashkë me eprorët e tyre sot kanë pirë kafen e mëngjesit me kryetarin e komunës, i cili në emër të qytetarëve u ndau dhurata modeste.
“Unë kam nderin të jem në të njëjtën tavolinë me ju, sepse në pjesën e angazhimeve dhe aktiviteteve profesioniste dhe në bazë të mendimit të eprorëve tuaj, jeni propozuar për këtë titull prestigjioz në qytet dhe njëherit dëshiroj që në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të komunës së Kumanovës të ju falënderojmë për qasjen tuaj profesionale dhe njëkohësisht të dërgoj porosi deri tek të gjithë kolegët tuaj të përcjellin hapat tuaj”, deklaroi Dimitrievski, duke falënderuar edhe për angazhimin e tyre në kuadër të përballjes me pandeminë.

Polici Osmani tha se çmimi do të jetë motiv plotësues për të kryer punën në mënyrë profesionale.
“Falënderim për kryetarin e komunës, këshillin komunal, për eprorët dhe kolegët tanë. Për mua është nder dhe kënaqësi e madhe ta pranoj këtë çmim që edhe më tej të bëj përpjekje t’i kryej detyrat e mia të punës. Me të vërtetë jam krenar që mund të kontribuoj për sigurinë e trafikut rrugor, kurse kjo mirënjohje uroj të jetë stimul edhe për kolegët tjerë që t’u përgjigjen çdo herë detyrave me përkushtim maksimal”, deklaroi Osmani.