Kumanova gjatë 24 orëve është përfshirë në një atmosferë të zymtë zie dhe mallëngjimi, pasi që ndërruan jetë tre personalitete të njohura të saj.
Si pasojë e komplikimeve nga Kovid-19, u nda nga jeta doktori i njohur Shukri Fazliji, internist i dalluar dhe personalitet human në Spitalin e Kumanovës.
49 vjeçari la shumë projekte dhe punë profesionale që i kishte planifikuar gjatë karrierës së tij. Ai kishte kryer fakultetin e mjekësisë dhe biokimisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa specializimin në Klinikat e Shkupit. Ishte ndër internistët e rrallë në Kumanovë.
Po ashtu u nda nga jeta edhe Ejup Shemshiji, veprimtar i çështjes shqiptare dhe ish i burgosur politik në vitin 1988 për shkak të kërkesave për hapjen e paraleleve të mesme në gjuhën shqipe. Ejupi 58 vjeçar ishte një figurë e rrallë, që po bënte një jetë normale dhe kurrë nuk ishte një personalitet i imponuar në skenën politike. Ai ishte bashkëveprimtar me Jonuz Musliun dhe shumë emra të tjerë të Lëvizjes kombëtare të asaj kohe, edhe në diasporë. Ejupi ishte një burrë i mençur, i qetë dhe një njeri solidar me gjithë qytetin, pasi që vite me parë ishte punësuar në Postat e Maqedonisë.
Për këtë trevë një humbje tjetër ishte edhe Zekirija Kadriu i njohur si Aga Zekë. Vallet e Karadakut dhe të Anamoravës sot humbën protagonistin kryesorë të saj,veteranin, mjeshtrin dhe solistin e pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”, Zekirja Kadriu-Aga Zekë.
Gjatë karierës së tij ai për shumë vite ushtroi veprimtarinë e tij si vallëtar ne ansamblin “Bajram Shabani” duke ruajtur dhe kultivuar me shumë dashuri vallet e burrave.
Ai në çdo prezantim në skenën artistike ishte gjithmonë i pari dhe me çmime të para.
“Do të mbahet mend si njeri i urt ,i dashur dhe artist i madh. Vallet e burrave më nuk do ta kenë bukurinë e saj si më pare”, shkruajnë anëtarët e ansablit kumanovarë. Kumanova do t’i mbajë mend përgjithmonë këta emra, që janë kontribues të çmuar dhe promotor të vlerave tona në çdo sferë.