KUJDES, po abuzohet masivisht nga qytetarë që mbledhin para për kurim jashtë vendit…

Fondi për Sigurim Shëndetësor njofton:
Njoftim për publikun

Të nderuar,
Për shkak të abuzimit të shtuar të Fondit të Sigurimit Shëndetësor nga ana e qytetarëve që mbledhin donacione për trajtim jashtë vendit, jemi të detyruar të reagojmë publikisht.
Kohët e fundit në rrjetet sociale ka një mori kërkesash me lutje që qytetarët të solidarizohen dhe të ndihmojnë me pagesë në numrat e telefonit për donacione apo drejtpërdrejt në llogaritë bankare.

Bëhet fjalë për grumbullimin e donacioneve për rastet kur aspak nuk është paraqitur mendim konsiliar, pra nuk është kërkuar trajtim në shpenzimet e Fondit.
Ndodh shpesh që të abuzohet me FSSH-në për shkak se kërkesat shpërndahen me pretekstin se “Fondi nuk miraton”, edhe pse pacienti nuk dorëzon asnjë dokument në FSSH, dhe kështu nuk kërkon trajtim jashtë vendit nëpërmjet Fondit.

Kjo jo vetëm abuzon institucionin, Fondin e Sigurimit Shëndetësor, por manipulon edhe qytetarët. Fondi është në dijeni edhe për disa raste që në këtë mënyrë grumbullojnë mjete financiare nga qytetarët.
Një nga rastet është rasti ku nevojiten 16 500 euro për operacion urgjent të një vajze 13-vjeçare në Institutin e Ortopedisë në Banjicë. Poshtë fotografisë së vajzës që shpërndahet në rrjetet sociale, me shkronja të mëdha të gjelbra “URGJENTE”, qëndron se operacionin në Banicë “Fondi nuk e mbështet”.

Njoftojmë opinionin publik se për rastin konkret në FSSHRMV, ASPAK nuk është parashtruar kërkesë për trajtim jashtë vendit.
Kemi rënë në kontakt me prindin, i cili sqaroi se nuk ka nevojë për trajtim përmes FSSH-së, por ka vendosur të mbledhë donacione për operacion në Banicë dhe sqaroi se përse ka vendosur për një hap të tillë, procedurë për të cilën duket se nuk është njohur me detajet e saj.
Sqarojmë procedurën e referimit për trajtim jashtë vendit e cila inicohet me kërkesë të personit të siguruar.

Krahas kërkesës, personi i siguruar parashtron:
– propozim referimi për trajtim jashtë vendit nga klinika përkatëse universitare në Shkup;
– dokumentacion të nevojshëm mjekësor dhe dokumentacion tjetër për rrjedhën e trajtimit në institucionet shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në bazë të nenit 4 paragrafi 1 i Rregullores për mënyrën e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore të personave të siguruar jashtë vendit, propozim referimin për mjekim jashtë vendit e jep këshilli klinik prej së paku tre mjekëve subspecialistë/specialistë dhe drejtori i klinikës universitare përkatëse në Shkup dhe është e vlefshme për gjashtë muaj nga data e lëshimit.

Më tej, lënda me të gjithë dokumentacionin shqyrtohet nga komisionet mjekësore dhe pas vlerësimit dhe mendimit miratohet akti përkatës administrativ nga Fondi.
Theksojmë, të mos shkruhet dezinformata në kërkesat që shpërndahen në rrjetet sociale dhe të mos abuzohet me FSSHRMV-në, në rastet kur nuk është kërkuar trajtim përmes Fondit sepse në këtë mënyrë prishet reputacioni i institucionit, krijohet një perceptim i gabuar në publik dhe me këtë manipulohen edhe qytetarët.
Me respekt, FSSHRMV