Kufoma në QKUK për 5 orë me pacientët: Flet djali i 74 vjeçares

Në një nga dhomat në Klinikën e Pulmologjisë qëndroi deri të shtunën një 74 vjeçare e prekur me Covid-19.
E kur ajo ndërroi jetë, trupi i saj qëndroi për 5 orë në të njëjtën dhomë me pacientët e tjerë.
Ndonëse këta të fundit nuk deshën të flasin para kamerave për këtë rast, djali i të ndjerës ka kritika të mëdha për mënyrën se si ajo u trajtua në QKUK.

Përparim Avdyli tregon edhe se si nuk e lejuan që ta zbrisnin shkallëve kufomën e nënës së tij.
“Te spitali i mushknive aty ish krim, ishalla zoti se con aty kërkan, që don me cu njerin me mytë, co atje, a po din, pakujdesi e mjekëve ndaj pacientëve”, ka thënë ai.
“Taman ai djalë ka ardhë lifti me marrë te dera me marrë kufomën, shkallëve teposhtë s’na lashin me cu”, thotë ai.

Megjithatë pulmologu Flamur Marku, këtë vonesë disa orëshe po e sheh më shumë si neglizhencë e kompanisë së transportit të kufomave.
“Kompania e tranpsportit ka gjasë se është dashur ta marrë me kohë, mund të ketë pasur neglizhencë”, ka thënë ai. E raste të tilla kishin ndodhur edhe më parë në Pulmologji por nuk kishte ndodhur që kufoma të qëndronte aq gjatë.