Kufijtë me Greqinë mbeten të mbyllur

Qeveria greke, deri më 8 nëntor i vazhdoi dy vendimet ministrore që kanë të bëjnë me kufizimin e lidhjeve tokësore, ajrore dhe detare të Greqisë me vendet fqinje, mes të cilave edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe ndalesën për hyrje në vend të shtetasve të vendeve të treta.
Dy vendimet e kaluar ministrore ishin në fuqi deri dje në mesnatë, ndërsa pas publikimit në Gazetën zyrtare të Greqisë, u vazhduan edhe për 13 ditë.

Bëhet fjalë për vendimet të cilat vazhdimisht prolongoheshin gjatë dy muajve të fundit.
Vendimi i parë, ka të bëjë me kufizimin e përkohshëm të të gjitha ndërlidhjeve tokësore nga dhe drejt Greqisë “për shkaqe preventive për mbrojtjen e shëndetit publik nga përhapja shtesë e koronavirusit Kovid-19 në territorin grek, si dhe ndalesa për hyrje të personave në territorin grek, përveç nëse përmbushin parakushte konkrete”.
Për turistët dhe shtetasit e huaj për të cilët nuk ekziston ndalesë, është e lejuar hyrja vetëm përmes Bullgarisë, përkatësisht përmes vendkalimit kufitar Promahonas (Kulla) dhe vetëm me test molekular negativ për Kovid-19 të bërë 72 orë para arritjes.

Nga vendkalimet e tjera kufitare që janë hapur, përkatësisht Kakavijë dhe Kristalopigi drejt Shqipërisë, Evzoni (Bogorodicë) drejt Maqedonisë së Veriut, Nimfea drejt Bullgarisë dhe Kipi drejt Turqisë, hyrja në Greqi është e lejuar vetëm për kategori të caktuara dhe gjithashtu me test PCR negativ.

Këto vendkalime janë të mbyllura prej orës 7:00 deri në orën 23:00, ndërsa ndalesa nuk vlen për shtetas grekë, për persona të cilët kanë leje qëndrimi dhe persona të cilët jetojnë në Greqi, për hyrje të personave me arsye absolutisht të domosdoshme profesionale apo mjekësore për të cilat kanë edhe dokumentet përkatëse, si dhe për transit të automjeteve spitalore të cilat nga Kosova përmes Maqedonisë së Veriut hyjnë në Greqi për hospitalizim të pacientëve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak apo administrativ të vendeve anëtare të BE-së dhe EULEX-it në Kosovë.

Vendimi tjetër ministror ka të bëjë me ndalesën e përkohshme për hyrje në Greqi të “të gjithë shtetasve të vendeve të treta, nga cila do pikë e hyrjes, në cilën do mënyrë dhe me çfarëdo lloj mjeti, përfshirë edhe ndërlidhjet ajrore, detare, hekurudhore dhe rrugore për shkaqe preventive për mbrojtje të shëndetit publik nga përhapja e mëtutjeshme e Kovid-19 në territorin grek”.
Përjashtim bëjnë banorët e Australisë, Japonisë, Zelandës së Re, Ruandës, Koresë së Jugut., Tajlandës, Uruguajit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Singaportit.