Kufijtë mbeten të mbyllur edhe për muajin gusht

Edhe gjatë muajit gusht nuk do të hiqen kushtet për lëvizjen e qytetarëve mes vendeve fqinje. Komisioni për sëmundje infektive vlerëson se vendet rreth nesh janë në një situatë të rënduar epidemiologjike të shkaktuar nga CoVid-19. Kreu i këtij Komisioni, Zharko Karaxhovski tha se testi PCR-negativ jo më i vjetër se 72 orë vazhdon të jetë “vizë hyrëse” në vend për Kosovën, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë.0

  “ Nuk kemi ndërmend ta ndryshojmë sepse situata aktuale në këto vend është e ngjashme me tonën dhe nëse hapen plotësisht kufijtë do të kemi numër më të madh të të infektuarve. E ndjekim situatën aktuale në të gjitha shtetet dhe shohim se ka numër të madh të të sëmurëve edhe në këto vende.”- deklaroi  – Zharko Karaxhovski, Kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.

 Aktualisht, kufijtë tonë mbeten të hapur për Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë. Por, meqë Greqia dhe Bullgaria ka bllokuar vendin tonë sipas rekomandimeve të zonës Shengen, Shqipëria mbetet destinacioni i vetëm për qarkullim të lirë pa asnjë kushtëzim. Numri “një” i KSI-së tha se shëndeti publik është prioritet krahas zmbrapsjes së turistëve fqinjë. Por me këtë qëndrim nuk pajtohen Agjencitë turistike. Qindra përfaqësues prej këtij sektori nga i gjithë vendi protestuan në Shkup kundër masave të qeverisë. Nga Shoqata e Agjencive Turistike thonë se me humbje 100% do t’i vënë drynin 300 agjencive turistike me 5 mijë punëtorë.

“5 muaj pa të ardhura, 5 muaj pa punë, duhet patjetër të marrim ndonjë ndihmë nga shteti. Kërkesat tona janë të marrim pagë minimale me 100% kontribute të paguara, të marrim subvencione me të cilat do të mund t’i paguajmë qiratë dhe shpenzimet e tjera.- pohoi Ana Maria  Aleksova, Shoqata e Agjencive turistike.

“Të na japin para se e dini si është puna, nëse nuk kemi qarkullim neve do t’i vëmë drynin agjencisë dhe unë si e punësuar skam prej ku të marr para dhe të jetoj. Familja ime varet nga unë”- tha Jetmira Besimi, Shoqata e Agjencive turistike.

 Nga KSI theksojnë se nuk kanë rekomanduar asnjë masë të shtuar restriktive gjatë fundjavës, ku përkon festa e Bajramit dhe Ilindenit. Madje, Karaxhovski bën apel tek të gjithë qytetarët që të shmangin festat familjare apo tubimet masive, dhe të përdorin maskat dhe dezinfektuesit./Adnan Qaili