Kufijtë e BE-së mund të mbeten të mbyllur për vendet e Ballkanit Perëndimor


Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, përkundër rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Evropian që këto kufij të hapen me këtë datë.

Komisioni Evropian para dy javësh kishte rekomanduar që kufijtë e brendshëm të BE-së të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtëm gradualisht prej 1 korrikut.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni kishte rekomanduar që kufijtë e jashtëm të hapen prej 1 korrikut duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike.

Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë në vendet e Ballkanit Perëndimor është “e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në vendet e BE-së”.

Por, prej atëherë situata në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejt të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Rekomandimi për nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, ka thënë ky zëdhënës në Komisionin Evropian.

Edhe pse Komisioni Evropian mund të paraqesë rekomandime, vendimi për të hapur apo jo kufijtë u takon vendeve anëtare. Disa vende anëtare të BE-së tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kështu ka vendosur Sllovenia, ndërsa Kroacia kërkon që personat që hyjnë në territorin e saj, e rrjedhimisht edhe në atë të BE-së, të dëshmojnë arsyen domosdoshme për një udhëtim të tillë.

Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ditëve të fundit ka pasur një rritje të numrit të infektuarve me koronavirusin e ri./REL/