Ish-kryeministri Nikolla Gruevski nuk u paraqit as sot në burgun e Shutkës, derisa në adresë të tij kishin mbërritur tre vendime nga korrieri i Gjykatës Penale për krime të rënda. “Nuk është në shtëpi, ka dalur”, ka qenë përgjigja e bashkëshortes së tij Zorkica, e cila në tre raste deri mbrëmë vonë ka pranuar letra e korrierit të gjykatës, informon INA.
Megjithatë nuk dihet se ish-kryeministri a po fshihet në banesën e tij apo është në ndonjë lokacion tjetër në Shkup. Në rrjetet sociale kanë qarkulluar spekulime të ndryshme deri tek ato se gjoja mund të jetë arratisur. Megjithatë nga autoritetet e burgut presin që ish-kryeministrit sot vetë të paraqitet në burg.
Gruevski nuk është i kapshëm dhe në rrjet as në telefonin e tij celular. Ndërsa nga 6 nëntori nuk është aktiv as në rrjetin social “facebook”, pas një porosie të shkruar të shkrimtarit serb Ivo Andriç. Deri tani siç shkruajnë mediat maqedonase nuk dihet se a është me të edhe sigurimi i tij 24 orësh i vënë në dispozicion nga Ministria e Brendshme, dhe që i takon si ish-kryeministër.
Nikolla Gruevskit dikur kryeministri i hekurt sot është një nga njerëzit me dosje të rëndë kriminale, që po kërkohet për vuajtjen e dënimit prej 2 viteve për rastin “Tanku” që ka bëjë me blerjen e një Benzi të blinduar në kohën që ishte kryeministër dhe për të cilin ishin paguar mbi 600 mijë euro nga arka e shtetit, në një tender përplotë keqpërdorime. Ai përveç kësaj akuzohet edhe për shumë vepra të tjera që po zhvillohen seanca në gjykatë.