Ku, nëse ju dhemb dhëmbi, por jeni pozitiv me Covi-19!? Flet drejtoresha e Klinikës së Stomatologjisë dr. Amella Cana

Ku, nëse ju dhemb dhëmbi, por jeni pozitiv me Covi-19!?
Është obligim, guxim dhe virtyt që të jesh këtu, të jesh i pranishëm dhe t’i thërrasësh njerëzit publikisht. T’u thuash se nuk guxojnë dhe nuk duhet të durojnë dhimbje dhëmbi, thotë drejtoresha e Qendrës Klinike të Stomatologjisë Shën Pantelejmoni Shkup, dr. Amella Cana.

Sot e vizituam Qendrën Klinike të Stomatologjisë Shën Pantelejmoni Shkup që të informohemi nëse dhe si punojnë.
Parashtruam disa pyetje për udhëheqësen e institucionit, Dr. spec. Amella Cana – drejtoreshë e klinikës.
– E nderuar, realisht, tashmë disa muaj jetojmë në kushte të posaçme, masa, rekomandime, paralajmërime. Çfarë mendimi keni për gjendjen e përgjithshme në vend që lidhet me sistemin shëndetësor në kushte të ekzistimit të virusit?

Periudha e pranisë së virusit Covid-19 zgjatë aq shumë, sa që tashmë jemi mësuar të jetojmë. Dikush më shumë, e dikush më pak, u përshtat me kushtet e reja të krijuara rishtazi. Dikush edhe nuk pajtohet me faktin se ekziston virusi Covid-19, por ai është këtu dhe është pjesë e përditshmërisë sonë. Dëshirojnë, ose jo, obligim i secilit nga ne është që si privatisht, ashtu edhe profesionalisht ta bëjë atë që është më e sigurt ose, më së paku, më pak e dëmshme për të mirën e të gjithëve.

– Shumë institucione shëndetësore në sektorin privat i kanë mbyllur dyert për pacientët, të mos themi se e kanë ndërprerë punën. А kishte probleme funksionimi institucioni që e udhëhiqni ju? Si duhet të veprojë mjeku që e ka dhënë betimin e Hipokratit? E pra, ashtu vepruam dhe veprojmë. Është e lehtë të menaxhosh institucion shëndetësor të veprimtarisë stomatologjike kur i thërret pacientët për buzëqeshje verbuese. Është egoiste që t’i mbyllësh dyert duke e mbrojtur veten nga ndonjë rrezik i mundshëm. Është obligim, guxim dhe virtyt që të jesh këtu, të jesh i pranishëm dhe t’i thërrasësh njerëzit publikisht. T’u thuash se nuk guxojnë dhe nuk duhet të durojnë dhimbje dhëmbi. Sepse ka zgjidhje.

– Dëshironi të thoni se ju keni punuar edhe me pacientë me rrezik?
Po, kemi punuar dhe punojmë dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Qendra Klinike e Stomatologjisë Shën Pantelejmoni Shkup nuk ndaloi së punuari gjatë tërë periudhës së pandemisë. Udhëheqësia e klinikës në bashkëpunim me të gjithë të punësuarit e përshtatën organizimin e punës në kushte të çastit konkret, me angazhim joegoist, sipas rekomandimeve të OBSH-së, Ministrisë së Shëndetësisë. Shërbimet tona përpiluan protokolle pune që hap pas hapi i ndoqën të gjitha rekomandimet në interes të shëndetit oral të secilit njeri. Mjekët ishin të disponueshëm 24/7 për të gjithë, të gatshëm të këshillojnë edhe nëpërmjet telefonit.

– Çka me pacientët e dokumentuar pozitivisht me Covid-19?
Nuk kemi asnjë problem. Ata janë të barabartë me të tjerët, vetëm se kanë një trajtim më ndryshe në pjesën organizative. Që nga fundi i muajit maj në Qendrën Klinike të Stomatologjisë filloi të punojë ambulanca e specializuar për Covid-19 që funksionon sipas një protokolli të përpiluar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me rekomandimet e OBSH-së. Ambulanca është krejtësisht e pajisur sikur edhe repartet tjera. Pranimi i pacientëve pozitiv në Covid-19 kryhet posaçërisht nëpërmjet caktimit me telefon (pas një rekomandimi paraprak të mjekut të familjes). Pacienti duhet që me vete të ketë dokumentacionin e rregullt për të vërtetuar diagnozën, si dhe pajisje mbrojtëse (maskë dhe doreza). Orari i punës në ambulancën Covid-19 është nga e hëna në të premte (ora 08:00-15:00).

– A keni pranuar deri tani pacientë në ambulancën e posaçme?
Gjithsesi se po. Pacientët trajtohen pas një caktimi paraprak për trajtim. Vazhdimisht ka një ekip kujdestar mjeku, infermiereje, pastruese, të cilët ditën e punës e kalojnë vetëm në ato hapësira. Organizimi i punës është nën kompetencë të Dr. spec. Gazmend Jusufi dhe infermierja kryesore e klinikës, Juliana Kiprovska, të cilët kujdesen në mënyrë të përsosur, si për pacientët ashtu edhe për kuadrin tonë që i ofron shërbimet stomatologjike sipas protokolleve të mbrojtjes.

– Cila është siguria e pacientëve tjerë dhe e vizitorëve të klinikës; a kanë siguri për shëndetin e tyre?
Janë absolutisht të sigurt, sepse ambulanca Covid-19 është e izoluar fizikisht. Ka hyrje të posaçme nga një anë krejtësisht tjetër e objektit dhe nuk ka asnjë pikë takimi me hapësirat tjera të punës dhe të ndihmës. Sterilizimi i instrumenteve është i izoluar, qasja e personave është nën kontroll të rreptë. Kemi investuar mjete shtesë financiare për izolimin e pikave të posaçme sanitare. Të theksoj se të gjitha ordinancat, sallat, reparti RTG, janë pajisur me llamba kuarci për dezinfektim të ajrit dhe aktivizohen sipas protokollit, e që paraqet mbrojtje dhe siguri shtesë.

– Treguat për kushtet e posaçme të ambulancës Covid-19. Si organizohet pjesa tjetër e procesit të punës?
Në Qendrën Klinike të Stomatologjisë punojnë të gjitha repartet, në dy ndërrime. Funksionojmë sipas protokolleve të përshtatura për gjendje të përgjithshme. Matet temperatura gjatë hyrjes së secilit pacient, plotësohen fletanketa, është siguruar largësi, dezinfektim i plotë para dhe pas kryerjes së ndërhyrjes. Këtu do të them se e gjithë kjo nuk është meritë vetëm e imja, por e të gjithë të punësuarve të cilët me përkushtim dhe pa egoizëm e kryejnë pjesën e tyre të punës dhe u ndihmojnë kolegëve të tyre. Duke pasur kujdes për problemet financiare të popullsisë, ne u përpoqëm dhe ofruam lirime në çmimet e shërbimeve private. Kjo është pjesa që nuk mbulohet nga Fondi. Ofruam çmime të përballueshme për qytetarët me buxhet më të ulët familjar, pasi që rregullimi i dhëmbëve nuk është luks, por nevojë e patjetërsueshme për shëndet të përgjithshëm të organizmit.

– A keni ndonjë porosi për publikun?
Porosia ime te secili njeri është që të jetë egoist për ta mbrojtur atë që I takon dhe të jetë solidar, të kujdeset për shëndetin e të gjithë të tjerëve rreth tij. Vetëm kështu do të jemi të gjithë të shëndoshë, dhe në rrethana tjera më shpejtë të shëruar. Qendra Klinike e Stomatologjisë është institucion serioz, para se gjithash i mbrojtur dhe i sigurt. Porosia jonë: Kujdesuni për dhëmbët tuaj, sepse buzëqeshja nuk mund të presë.