KSI: Maska obligative edhe jashtë, ja çfarë u vendos për kthimin e PCR testit

Komisioni i Sëmundjeve Infektive (KSI) mëngjesin e sotëm ka diskutuar për masa të reja shtrënguese kundër Kovid-19. Si pasojë e përkeqësimit të situatës epidemiologjike jo zyrtarisht KSI ka rekomanduar në Shtabin e Krizës që maskat të jenë të obligueshme edhe në hapësira të hapura publike.

Burime të Alsat brenda Komisionit të Sëmundjeve Infektive jo zyrtarisht bëjnë të ditur se një debat i ashpër është zhvilluar sa i përket paralajmërimeve për kthimin PCR testit negativ të obligueshëm për qytetarët nga vendet e rajonit. Anëtarët e komisionit kanë qenë të ndarë në mendime por në fund është konstatuar se është herët të rikthehet në fuqi vendimi për PCR të obligueshëm.

Vendimi unanim i Komisionit është që në rast të mos uljes së fluksit të lëvizjeve ndërmjet shteteve, lëvizja e lirë të kushtëzohet në mbledhjen e ardhshme.