KSI-ja propozon shtrëngimin e masave për të pavaksinuarit


Vjollca Aliti – Vaksinim të detyrueshëm për të gjithë të punësuarit në institucionet shtetërore, ka propozuar Komisioni për sëmundje ngjitëse. Personat e pa vaksinuar do të detyrohen të tregojnë test negative PCRpër së paku 72 orët e fundit të cilin do ta paguajnë vetë. Si dëshmi mund të përdoret edhe certifikata e cila dëshmon se personi e ka kaluar virusin 45 ditë më parë.Ata të cilët do të mund të hyjnë të pa vaksinuar nëpër vendet e tyre të punës do jenë vetëm personat të cilët me rekomandim nga mjeku specialist, nuk guxojnë ta pranojnë vaksinën kundër virusit korona.Ndërkohë vaksinimi i detyrueshëm do të jetë për të gjithë punonjësit shëndetësorë.

“Këto masa propozojmë të hyjnë në fuqi 10 ditë pas të miratohen nga Qeveria, me qëllim që qytetarët të kenë kohë që të vaksinohen ndërkaq afat prej 30 ditësh iu japim personelit shëndetësor që është diku 20-30% i pa vaksinuar. Procesi i kontrollit nga ana e të gjitha inspektorateve, ministria e Brendshme, kërkojmë që të azhurnohet. Kemi mjete elektronike, nuk janë vetë certifikatat e letrës por dhe certifikatat e Evropës të cilat mund të merren në mënyrë elektronike po ashtu ka pajisje e cila e kontrollon validitetin e atij dokumenti, që do të thotë se eliminohet mundësia të kemi certifikata të falsifikuara”, tha Venko Filipce, Ministër I Shëndetësisë.

Zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski tha se propozimi i Komisionit për sëmundje ngjitëse do jetë në rend dite në seancën e së martës.“Një propozim I tillë, në bazë të procedurës diskutohet në seancën e radhës të Shtabit të krizave, dhe e gjithë ajo që do konstatohet nga ana e tyre do të jetë në rend dite në seancën e radhës të Qeverisë”, u shpreh Dushko Arsovski, Zëdhënës i Qeverisë së RVM-së.

Përmes këtyre masave, autoritetet shëndetësore presin rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve të vaksinuar kundër Kovid19. Për momentin në vend janë të vaksinuar 38% e popullsisë, ndërsa për arritjen e imunitetit kolektiv, e nevojshme është vaksinimi i 80-90% e popullsisë.