Pas shpalljes së vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka kumtuar kalendarin e aktiviteteve për përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill. Që sot KSHZ do të kërkojë nga MPB-ja t’i dorëzohet Lista Zgjedhore e të njëjtën më së voni dhjetë ditë nga shpallja e zgjedhjeve duhet ta vendos për verifikim publik në njësitë rajonale dhe zyrat lokale. Verifikimi zgjat 15 ditë dhe fillon nga 26 shkurti deri më 11 mars. Brenda kësaj periudhe qytetarët mund t’i dorëzojnë kërkesat për regjistrimin, plotësimin apo shlyerjen e të dhënave nga Lista Zgjedhore.
Lista e kandidatëve që do të garojnë për deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duhet të dorëzohet 30 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, gjegjësisht më së voni deri më 12 mars në mesnatë.
Listat e kandidatëve të pavarur apo grupeve të qytetarëve do të duhet të grumbullojnë nënshkrime para personave zyrtar të KSHZ-së, por edhe para noterit kompetent në formën e paraparë nga KSHZ-ja, nëse parashtruesi i listës kandiduese vendos për këtë.
Lista e Afateve e rregullon edhe fushatën zgjedhore që është paraparë prej 20 ditë para zgjedhjeve deri me heshtje zgjedhore 24 orëshe para ditës së votimit. Sipas këtij kalendari, fushata zyrtarisht fillon në orën 0:00 më 23 mars dhe përfundon më 10 prill në orën 24.
Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore, nuk mund të porosit reklamë të paguar politike në radiodifuzer të cilët nuk janë të regjistruar në regjistrin e radiodifuzerëve dhe portaleve, dhe t’i paguaj prej mjeteve në llogarinë e transaksionit për fushatën zgjedhore.
Për këtë arsye KSHZ-ja u bënë thirrje mediave që duan të emitojnë reklama të paguara politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të regjistrohen në Komision në afat prej tre ditëve nga shpallja e zgjedhjeve gjegjësisht më 17,18 dhe 19 shkurt. Radiodifuzerët kanë afat prej pesë ditëve nga shpallja e zgjedhjeve që t’i konfirmojnë çmimoret për reklamim të paguar politik dhe ato çmime nuk mund të ndryshohen deri në përfundimin e zgjedhjeve.
Për sa i takon fushës së reklamimit mediatik, KSHZ i ka konfirmuar edhe çmimet më të larta edhe më të ulëta për reklamim në radio, televizion dhe mediat e shtypura, si dhe shumat më të larta që mund të paguhen për reklamim në internet portalet.