KSHZ-ja e miratoi planin financiar për shpërndarjen e mjeteve për zgjedhjet në Mavrovë dhe Rostushë, Qendrën Zhupa dhe Tetovë

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme të 57-të i ka miratuar planet financiare për shpërndarjen e mjeteve financiare për zgjedhjet për kryetar të Komunës Mavrovë dhe Rostushë, Komuna Qendra Zhupa dhe anëtarët e Këshillit të Komunës së Tetovës për zgjedhjet që do mbahen më 20 gusht të vitit 2022.

Nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, sqaroi se në planin financiar janë planifikuar gjithsej 21.275,800 denarë të ardhurat për realizimin e zgjedhjeve.

“Pjesa më e madhe e këtyre fondeve ose 16,34 milionë denarë dedikohen për reklamim të paguar politik, ndërsa pesë milionë denarë parashikohen për realizimin dhe organizimin e zgjedhjeve”, deklaroi Shehu.

Fondet tjera do të përdoren për shtypjen e materialit zgjedhor, furnizimin e qeseve dhe zarfeve mbrojtëse, transportimin e materialit të votimit konfidencial dhe jokonfidencial, përpunimin e kartave të identifikimit dhe simboleve për administratën zgjedhore dhe përfaqësuesit e autorizuar dhe vëzhguesit, si dhe materiale të tjera të nevojshme për zgjedhjet.

KSHZ-ja në kuadër të seancës, i ka miratuar edhe planin vjetor të ndryshuar për nevojat e përgjithshme për prokurime publike të KSHZ-së për vitin 2022. Procedurën e përgjithshme për prokurimet publike mbi 60.000 denarë, në pajtim me ligjin, do t’i zbatojë KSHZ përmes sistemit elektronik për prokurime publike.