KSHZ ankohet për presione, anëtarët të frikësuar për sigurinë e tyre

Kryetari dhe pesë anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë frikë për sigurinë e tyre. Në një reagim me shkrim të nënshkruar nga Dashtevski, Risteska, Kondarko, Stojanoski, Ristovski dhe Demiri, ata thonë se janë të shqetësuar nga deklaratat e partive politike dhe zyrtarëve të lartë të pushtetit pasi KSHZ ka anuluar votimin në shtatë vendvotime. Reagimi nuk është nënshkruar nga nënkryetarja Ditmire Shehu, e cila përfaqëson BDI-në në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Përveç që jemi poshtëruar dhe fyer personalisht, edhe si anëtarë të institucionit më të lartë për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, jemi të ekspozuar edhe ndaj presioneve të pabaza dhe të papërshtatshme politike publike dhe kërcënimeve për përgjegjësi penale për shkak të vendimeve të KSHZ-së. “Duke ndjekur kontekstin dhe intensitetin e sulmeve, sharjeve dhe fyerjeve, jemi të shqetësuar edhe se është e mundur që ato të kthehen në sulme personale ndaj sigurisë sonë”, thuhet në kumtesën e KSHZ-së.

Kërcënimet e para për kallëzim penal ndaj anëtarëve të KSHZ-së kanë ardhur nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI në ditën kur komisioni filloi shqyrtimin e kundërshtimeve. Kryeministri teknik Xhaferi mbrëmë ka akuzuar se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është duke bërë inxhinieri zgjedhore pas së cilës qëndronte një marrëveshje ndërpartiake për votim dhe mbivotim derisa po shqyrtoheshin kundërshtimet. Në përgjigjen e saj KSHZ-ja thekson se procesi ka qenë i ligjshëm dhe i mbështetur me dëshmi të arsyetuara për anulimin e votimit në shtatë vendvotime.

“Për KSHZ-në sulmet, presionet dhe ndërhyrjet e partive të caktuara politike dhe individëve nga Qeveria teknike në procedurat zgjedhore, si dhe në punën dhe vendimmarrjen e KSHZ-së dhe Gjykatës Administrative”, thonë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

KSHZ-ja thotë se për sulmet dhe kërcënimet e kanë njoftuar ambasadorin e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, të cilin e kanë takuar sot.