Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se ndihma financiare e paralajmëruar tashmë është realizuar, fondet janë transferuar në llogaritë e transaksionit të familjeve të viktimave, duke dhënë kështu, siç thonë, një kontribut modest në zbutjen e pasojave të tragjedisë.
“Vazhdojmë edhe më tej me përkrahjen e familjeve anëtarët e të cilëve humbën jetën në zjarrin e ndodhur më 08.09.2021 në spitalin modular për pacientët me Kovid-19 në Tetovë ku në mënyrë tragjike humbën jetën 15 persona. Ky akt humanitar tregon përgjegjësi të lartë sociale dhe kujdes për popullatën në kushtet kur ata kanë më shumë nevojë”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq.
Kujtojmë se, më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.