Kryhet transplanti i parë i mëlçisë në Maqedoninë e Veriut, nga një donator i vdekur

Në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, ditën e djeshme është kryer transplanti i parë i mëlçisë nga një donator i vdekur, në historinë e shëndetësisë në Maqedoni të Veriut. Pacienti gjashtëdhjetëvjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë ka marrë një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës ka pranuar t’i dhurojë organet. Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, i cili ka informuar se krahas mëlçisë, momentalisht është duke u zhvilluar transplantimi i veshkave në dy pacientë me sëmundje të veshkave.

“Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë personelit të përfshirë në ndërhyrjen e transplanteve, do të doja të falënderoja familjen e donatorit dhe vendimin e tyre për të shpëtuar jo një, por tre jetë. Ata na treguan edhe një herë se jeta mund të dhurohet. Falenderojmë gjithashtu të gjitha ekipet mjekësore të përfshira në transplantim, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët gjatë 24 orëve të fundit. Falënderim të veçantë meriton profesori Zoran Karaxhov dhe ekipi i tij, si dhe ekipi i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, i cili sot shkroi një faqe të re jo vetëm në fushën e kirurgjisë së digjestive, por edhe në shëndetin e përgjithshëm.”, ka shkruar Sali.