Kryeziu: Sipas BE-së Kosova duhet të plotësoi edhe 6 hapa për të fituar liberalizimin e Vizave !

Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, në një prononcim për media ka thënë, pavarësisht se është deklaruar nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që burojnë nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, ende ka punë drejt këtij procesi. Kryeziu theksoi se kanë mbetur edhe 6 hapa që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave.

“Në kuptimin procedural kanë mbetur edhe gjashtë hapa, duke e ditur që ne jemi në trialog. Ky trialog duhet të përfundojë në një marrëveshje të përkohshme joformale, kjo marrëveshje për t’u formalizuar do një votim në komitetin LIBE, një votim në seancë plenare të Parlamentit, mbështetje nga ana e ambasadorëve dhe kulmon me vendimmarrjen finale në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku kërkohet ajo shumica e dyfishtë që nënkupton 55% të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian”, ka thënë Kryeziu.

Ajo çka po e stagnon procesin e liberalizimit dhe Kosova nuk po ka përkrahje nga shtetet anëtare është edhe lufta kundër krimit të organizuar. Kryeziu thotë se është shumë e rëndësishme që sistemi i drejtësisë t’i ndjekë figurat e larta politike që kryejnë vepra penale.

“Është mungesa e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit të profileve të larta dhe shembujt negativë që institucionet tona kanë treguar vitin e kaluar. Të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare prej raportit të vendit, Strategjisë së zgjerimit, raportet e Departamentit të Shtetit thonë që sistemi ynë i drejtësisë është i ndikuar nga politika. Prandaj element vital krucial për institucionet tona është krijimi i një sistemi të drejtësisë kredibile me njerëz me integritet, të cilët janë të aftë dhe kanë guxim për t’i hetuar dhe për t’i ndjekur kryerësit e veprave të tilla penale, të cilat i përkasin profileve të larta politike”, është shprehur Kryeziu.

Kryeziu potencoi se është e rëndësishme që edhe krerët e shtetit të përmbahen nga dhënia e datave se kur do të ndodhë liberalizimi. Sipas tij, është e papranueshme që të luhet me ndjenjat e qytetarëve.

“Sa u përket afateve kohore unë mendoj që të gjithë duhet të jenë të përmbajtur dhe të mos luajnë me emocione dhe me pritshmëri të qytetarëve, siç kanë bërë dhe me këtë e kam fjalën kryesisht te politikanët, te liderët institucionalë dhe te bartësit e këtyre përgjegjësive, të cilët gjithmonë kanë përdorur për poenë politik një proces, i cili në fund ka qenë irritues për qytetarët”, deklaroi ai.