Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, sot do të jetë për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Sipas shërbimit për shtyp të Kuvendit, Spiropali do të realizojë disa takime gjatë vizitës së saj. Këto takime pritet të përfshijnë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me qëllim forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe diskutimin e çështjeve të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe midis të dyja vendeve.
Është parashikuar që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, të zhvillojë një takim me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Gjithashtu, janë planifikuar edhe takime me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe me Talat Xhaferin, ish-kryetar i Kuvendit, si dhe me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe. Pas takimit me Gashin, është parashikuar një deklaratë për mediat.