Kryetarja e Gjykatës së Kumanovës kolegët shqiptarë i thërret “SHIPTARI”

Gazetar: Adrian Kerimi

– Advertisements –

Ministri i Drejtësisë, Krenar LLoga kërkon nga Këshilli Gjyqësor që të ndërmerr masa në përputhje me ligjin dhe të përcaktojë përgjegjësinë e ushtrueses së detyrës kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Manev. Kërkesa e Llogës bazohet në raportin nga vizita e punës që kanë kryer anëtarët e Këshillit Gjyqësor më 1 shkurt të këtij viti. Në raport mes shkeljeve të shumta, procedurave jo ligjore dhe sistemimit jo adekuat është konstatuar edhe qasja nacionaliste dhe nënçmuese e kryetares Manev e cila ndaj gjykatësve shqiptarë përdor terme si “shiptari, të paaftë” dhe “gjedhe”. Lloga ka potencuar shqetësimin e tij për mos veprimin e Këshillit Gjyqësor pavarësisht shqyrtimit të raportit dhe kalimit si pikë e rendit të ditës pikërisht një muaj më parë.

Kërkesa e ministrit të Drejtësisë drejtuar Këshillit Gjyqësor
“Theksoj domosdoshmërinë e ndërmarrjes së reagimit më të mprehtë dhe masave të duhura për të përcaktuar përgjegjësinë dhe për të sanksionuar këtë lloj sjellje dhe për të inkurajuar gjuhën e urrejtjes në bazë kombëtare”.
Në rast se nuk ndërmerren masa konkrete, Lloga i kërkon Këshillit Gjyqësor që në komunikimin e ardhshëm të përdorin qasjen e Manevës.

Kërkesa e ministrit të Drejtësisë drejtuar Këshillit Gjyqësor
“Nëse gjendja e cekur mbetet e pandryshuar, shprehimisht ju kërkoj që në korrespondencën dhe komunikimin e ardhshëm me mua si ministër i Drejtësisë, të më drejtoheni duke përdorur të njëjtin fjalor dhe terminologji që përmbahen në pretendimet nga raporti i vizitës së punës”.

Raporti si dokument publik ndodhet në faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor. Në faqen 9 dhe 10 qasja e Manevës konstatohet në raport zyrtar.

Raporti i Këshillit Gjyqësor për vizitën në Gjykatën e Kumanovës
“Veç tjerash në raste të caktuara përdorë nënçmime në baza kombëtare, konkretisht kualifikime se gjykatësit shqiptarë janë bërë “shiptari të paaftë”, ndërsa gjykatësit e tjerë etiketohen si “i çmendur” dhe “e çmendur”, ndërsa të punësuarve në gjykatë i referohet me “gjedhe”.

Veçmas fyerjeve, nënçmimeve dhe kualifikimeve në baza kombëtare raporti konstaton edhe shkelje ligjore për cilat gjykatës të tjerë kanë përfunduar në burg.

Konstatimet nga Raporti i Këshillit Gjyqësor për vizitën në Gjykatën e Kumanovës

Zvarritje dhe verifikim i lëndëve në mënyrë jo të rregullt dhe jo të përditësuar në AKMIS.
Të respektohet shpërndarja në sistemin AKMIS, të ketë dëshmi për ndryshimin e gjykatësve, të sqarohen arsyet pse disa gjykatës nuk janë në sistemin AKMIS dhe pse janë anashkaluar nga shpërndarja e lëndëve në mënyrë automatike…”.
Ndaj qasjes së Manevës të punësuarit ishin ankuar edhe paraprakisht përmes një letre publike adresuar në Këshillin Gjyqësor. Në të ishin potencuar frika dhe pasiguria e të punësuarve dhe fati i tyre. Për qasjen e Manevës përveç Këshillit Gjyqësor, janë njoftuar edhe ambasadat e huaja në vend, ndërkohë gjendja e konstatuar në raport është adresuar edhe në Qeveri e cila mban llogari për zbatimin e reformave në gjyqësor. /Alsat.mk