Kryetari i sapo zgjedhur i Këshillit Gjyqësor: Çdo gjykatës që nuk ka punuar sipas ligjit do të shkarkohet

Gjykatësi Aleksandar Kambovski është zgjedhur kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sot, Këshilli, në seancën e tij të 510-të, me 13 vota e zgjodhi Kambovskin, i cili vjen nga Gjykata e Apelit në Manastir dhe u zgjodh anëtar i Këshillit në qershor të vitit të kaluar.

“Jini të sigurt se institucioni do të udhëhiqet me integritet, paanshmëri dhe përpjekje maksimale për mbrojtjen e pavarësisë gjyqësore. Kjo është shtëpia e gjyqtarëve; i inkurajojmë ata të punojnë në përputhje me ligjet dhe të mos bien nën ndikime të asnjë lloji,” deklaroi Kambovski pas zgjedhjes.

Sipas tij, gjyqtarët që nuk punojnë sipas ligjeve do të largohen nga sistemi gjyqësor.
“Është koha të vihet fundi dhe çdo gjyqtar që nuk punon sipas ligjeve, por sipas interesave të tij personale ose që ka rënë nën ndikime, nuk do të ketë vend në sistemin gjyqësor,” theksoi Kambovski.