Kryetari Gashi e mbajti koordinimin e parë të rregullt në përbërjen e re të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot e mbajti koordinimin e parë të rregullt në përbërjen e re të Kuvendit, në të cilin ishte diskutuar kryesisht për konstituimin e komisioneve, por edhe të trupave joformalë të punës në Dhomën Ligjvënëse.

Në koordinim, përveç Kryetarit Gashi dhe sekretares së përgjithshme Cvetanka Ivanova, morën pjesë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive, përkatësisht të koalicioneve që fituan mandate të deputetëve në zgjedhjet e fundit parlamentare: Nikolla Micevski nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, Oliver Spasovski nga koalicioni i LSDM-së, Blerim Bexheti nga Fronti Evropian i BDI-së, Halil Snopçe nga VLEN, Boban Karapejovski nga ZNAM dhe Borisllav Kërmov nga “E Majta”.

Kryetari Gashi njoftoi se në fund të kësaj jave të punës duhet të mbahet seanca e re e Kuvendit, me qëllim të verifikimit të dy mandateve të mbetura të deputetëve, të cilat nuk ishin verifikuar në Seancën Konstitutive më 28 maj të këtij viti. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, siç tha Gashi, tashmë ka dorëzuar raportin për këto dy mandate, kështu që këtë javë duhet të caktohet seanca për verifikimin e tyre, e cila do të kompletojë përbërjen e re të Kuvendit.

Sa i përket formimit të komisioneve, të pranishmit e shqyrtuan mundësinë që në ditët në vijim të zgjidhet fillimisht kryetari dhe anëtarët e Komisionit Juridik Ligjvënës dhe Komisionit për Sistem Politik, duke pasur parasysh se po rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së re. Më pas, në afat sa më të shkurtër të mundshëm, partitë politike duhet të dorëzojnë propozime për kryetarë, anëtarë dhe zëvendësanëtarë të të gjitha trupave të tjera.