Kryetarët ndërrohen, deponia mbetet! A do të “çlirohet” ndonjëherë Haraçina nga deponia e egër? (VIDEO)

Banorët e Haraçinës, përveç hallit me kanalizimin dhe mungesën e ujit, me vite i shqetëson edhe kjo deponi në dalje të fshatit. Shumë kryetarë komune janë ndërruar deri më tani, por problemi asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.

E kryetari i ri i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, thotë se është duke u përpjekur për gjetjen e një gjuhe të përbashkët edhe me deponinë “Drislla”, 25km larg nga Haraçina, që mbeturinat të shkojnë atje. Pohon edhe se do ketë edhe një riorganizim të ri për mbledhjen e mbeturinave me ndonjë kompani publiko-private.

“Unë planifikoj që ndoshta si fillim të bëjmë një organizim krejtësisht të ri në këtë çështje. Vlen të theksohet se ndërmarrjet komunale në Haraçinë për fat të keq nuk janë funksionale dhe ky mos funksionalitet daton shumë herët. Por në këtë rast mendoj që do të duhet kohë që të bëjmë një riorganizim krejtësisht të ri dhe mendoj që këtë do ta arrijmë ndoshta me ndonjë ndërmarrje Publiko Privat që vërtet Haraçina të duket pastër edhe mirë”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar i Haraçinës

“Me vite kryetarët e komunave po ndërrohen në komunën e Haraçinës, por asnjëri ende deri më tani nuk ka gjetur ndonjë zgjidhje për ta rregulluar deponinë e egër këtu mbi fshatin Haraçinë”.
Një premtim se do të pastrohen të gjitha deponitë në Qytetin e Shkup e rrethinë, e dha edhe kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska.

“Pastrimi i të gjitha deponive në Qytet e rrethinë edhe atë në 82 ditët e para të mandatit”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
E pyetem Kryetarin e Haraçinës se a është kontaktuar nga kryetarja Arsovska për këtë problematikë, ndërsa na tha se deri më tani nuk ka pasur kontakte me të parën e kryeqytetit për pastrimin e deponisë.