Kryeprokurori Joveski komentoi “Monstrën”: Dënimet bazohen në dëshmi të forta

Rigjykimi i rastit “Monstra” i ka larguar të gjitha dyshimet se mund të bëhet fjalë për rast të montuar, kështu ka vlerësuar kryeprokurori republikan, Lubomir Joveski në një intervistë për “DW”. Ai ka deklaruar se Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq dhe Haki Aziri akuzohen në bazë të dëshmive të forta dhe të pakontestueshme.

“Para se gjithash dua të them se në publik është i gabuar perceptimi se aktgjykimi është ndërprerë për shkak të ekzistimit të bisedave të përgjuara. Pas ankesës së të akuzuarve, Gjykata Supreme ka verifikuar se vërtetësia e fakteve të rëndësishme po vihen në dyshim serioz dhe vendosi që gjatë përsëritjes së procedurës, është e nevojshme të kryhet rekonstruim i ngjarjes si nga aspekti i rrëfimit të dëshmitarit të rrezikuar, se mbrojtjes nuk i është mundësuar qasje në veturë, me çka është dëmtuar parimi i barazisë, por edhe ndaj rrethanave të tjera nga gjendja faktike”, tha Joveski.

Rasti “Monstra” është në fazën e shpalljes së aktgjykimit, pasi paraprakisht, prokurorja Fatime Fetai në fjalët përfundimtare tha se Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq i kanë kryer vrasjet, ndërkaq Haki Aziri akuzohet se u ka ndihmuar, por pa e ditur se ata kanë kryer vrasje. E sa i përket Fejzi Azirit, prokuroria atë e akuzon për veprën se ka ndihmuar Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq që të arratisen. Për të akuzuarin Sami Luta, prokurorja Fetai tha se aktakuza është tërhequr ngase nuk ka prova.