Kryeparlamentari Konjufca paralajmëron opozitën: Shkojmë në zgjedhje nëse mungoni në seancën e votimit të Presidentit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mirëpritur inicimin e Lëvizjes “Vetëvendosje” për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Sipas tij, kundërshtime e opozitës janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm.

Si mund te quhet “kapje e shtetit” një ndryshim që ia mundëson mërgimtarëve tanë një të drejtë të mohuar padrejtësisht?, ka shkruar ai në Facebook.

“Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opsione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit”.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Konjufcës:

Askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës sonë të shkojë në këtë nivel që po e shohim. Së paku në këtë çështje kam pritur konsensus të natyrshëm të partive tjera me VV-në. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve të kahmotshme të secilit: që mërgimtarët tanë të votojnë nëpër ambasadat e konsullatat e shtetit tonë. Çka ka të keqe këtu!? Këto kundërshtime janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm. Si mund te quhet “kapje e shtetit” një ndryshim që ia mundëson mërgimtarëve tanë një të drejtë të mohuar padrejtësisht?

Po shoh po ashtu se këtë nismë po e quajnë të “ngutshme”. Si mund të jetë e ngutshme një iniciativë e cila është ngritur për herë të parë nga VV-ja ne Komisionin për Legjislacion në vitin 2014? Prej asaj kohe është ngritur e ringritur disa herë. Asnjëherë nuk ka kaluar. Tash mund të kalojë meqë qytetarët kanë votuar për ndryshim.

Ky ligj i nevojshëm s’ka lidhje me zgjedhjen e Presidentes. Si mund të thotë LDK-ja që ky Ligj është shantazh për zgjedhjen e Presidentes!? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mergatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës.

Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opsione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit.