Kryeparlamentari i RMV-së takohet me presidentin e Shqipërisë (FOTO)

Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, realizoi takim me z. Ilir Meta, Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit theksuan se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë janë në nivel të lartë dhe se ekziston interes i ndërsjellë dhe mundësi për avancimin e të njëjtave.

Të dy shtetet i lidh miqësi e sinqertë dhe bashkëpunim i cili pritet që në të ardhme të përforcohet dhe avancohet akoma më shumë, sepse edhe në planin ndërkombëtar kanë qëllimet dhe interesat e njëjta, respektivisht: Anëtarësim i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, bashkëpunim sigurie në kuadër të NATO-s dhe thellim i bashkëpunimit rajonal.

Duke e pasur parasysh se Republika e Shqipërisë, prej më 1 janar 2022 është anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryetari Xhaferi drejtoi urime të sinqerta. Më tutje, ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj përcaktimeve për integrim evropian dhe punon me përkushtim në nismën rajonale Ballkani i hapur.

Si prioritete me interes të ndërsjellë i sugjeroi, shfrytëzimin më efikas të fondeve të BE-së, pjesëmarrjen e përbashkët në projekte të reja në kuadër të IPA 2, por para së gjithash, punën në thellimin e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet promovimit të potencialeve ekonomike dhe realizimit të projekteve infrastrukturore që janë të rëndësishëm për përparimin dhe stabilitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Ai e njoftoi bashkëbiseduesin për zhvillimet e fundit në vend pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend si dhe për zgjedhjen e Qeverisë së re që duhet të bëhet këtë javë.

Presidenti Meta theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka procese të konsoliduara demokratike dhe se vendi i ka përmbushur të gjitha obligimet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por kjo nuk ka ndodhur. Shpreson se keqkuptimet me Republikën e Bullgarisë do të zgjidhen sa më shpejt dhe do të krijohen kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se në të ardhme nevojitet bashkëpunim dhe mbështetje e ndërsjellë akoma më e madhe, para së gjithash për shkak të krizës energjetike dhe ekonomike e cila pritet që këtë vit të thellohet.