“Kryeministri shqiptar”, ku qëndron problemi?

–Ideja e BDI-së, sadoqë mund të duket populiste, nuk mund të hidhet poshtë, se nuk është në kundërshtim me asnjë parim demokratik e as të drejte kushtetuese juridike ku qytetarët janë të barabartë

Daut Dauti

Më së paku që mund të thuhet për idenë e BDI-së për “kryeministër shqiptar të Maqedonisë së Veriut”, është se ajo është një strategji interesante për gare zgjedhore…Pastaj vijnë të gjitha aspektet tjera që kanë të bëjnë me këtë ide: realizimi, oponenca opozitare dhe argumentet pro ose contra…

Më e çuditshmja në këto dilema është se kjo ide si platformë zgjedhore e plasuar në kohë pandemie, shkaktoi turbullima e bubullima nga anë të ndryshme, por para sa gjithash, nga nuk u pritën. Për një fushatë shumë me rëndësi është faktori kohë, kështu që u duk shumë befasues që rastisi pikërisht në “pikun” e valës së dytë të pandemisë, kur të gjithë ishin të preokupuar me keqmenaxhimin e saj(nga mosgjeturia institucionale dhe injoranca e pakujdesia qytetare). Kështu, si qëllim të parë të arritur të kësaj strategjie parazgjedhore ishte nxitja e reagimit të liderit të LSDM-së me kundërpërgjigje se një gjë e tillë nuk do të përkrahet kurrë! Një reagim ndryshe nga ajo fjala shqiptare “fjala mort nuk bëhet”. Mbase BDI-ja deshi ta kthjellë atë pjesë të elektoratit që janë të lidhur për konceptin politik të LSDM-së dhe të sprovojë kufijtë e kulturës politike të saj dhe partive tjera. Athua kjo parti që u kthye në pushtet me një numër jo të vogël votuesish shqiptarë dhe e ndihmuar drejtpërdrejtë nga BDI-ja(e cila braktisi parimin e vet “fituesi me fituesin” për ta hipur në pushtet partinë maqedonase jo fituese!), me këtë e destinoi strategjinë e vet se si do të përballet në fushatë me të. Për shkak të kësaj deklarate, shoh se shumë shqiptarë në portale e rrjete sociale “e kapin për fjale” liderin e LSDM-së për t’i thënë që ti i do votat e shqiptarëve vetëm që ti të jesh në krye të qeverisë.

Hajt tash të merremi pak me pragmatizmin. Opsion real, apo utopi?

Sigurisht kundërshtarët e idesë u kthyen prapa për të marrë përvojën e deritashme të garimit të sa e sa kandidatëve shqiptarë për kryetar të shtetit edhe kur dihej se “nuk kanë shanse”? Që nga PPD-ja e P(P)DSH-ja e gjer te BDI-ja e blloku aktual opozitar, e kanë provuar kandidatin “pa shansa”, që të gjitha, ndaj dhe kur sot mund të çohet dikush kundër kësaj ideje, duhet t’ia shtrojë vetes pyetjen, po mirë, pse garuat me kandidat presidencial kur e dinit se nuk ka shanse? Pra, ideja nuk mund të kontestohet. Shumëkush do të thotë ka qenë një garë e kotë, por nëse kthehemi në realitet, ajo nuk ka qenë edhe diçka aq e pakapshme. Nëse kandidatëve më të votuar shqiptarë(Imer Selmani, Gezim Ostreni, Blerim Reka) do t’ua shtonim votat e gjithë shqiptarëve, pra, në kuadër të një elektorati të bashkuar, ndoshta dhe do të kishin kaluar pragun për rund të dytë. E dini pastaj pragmatizmin, një kandidature të tillë, mund t’i bashkëngjitet edhe pjesa tjetër jo shqiptare e zgjedhësve, për shkak të rivaliteteteve të partive maqedonase. Inati është pjesë e lojës politike, apo jo, të pamundshmen e bën të mundshme?

Po kryeministri shqiptar? Kryetar të shtetit deri tash nuk kemi pasur, por në mandatin e kaluar u arrit që kryetari i parlamentit, për herë të parë në historinë pluraliste, të jetë shqiptar. Raporti i forcave, rrethanat dhe fryma e re politike, e bëri realitet. Kushdo le të mendojë si të dojë, por krejt do të pajtohen se Talat Xhaferi ishte ndër spikerët më dinjitozë që ka pasur Maqedonia e Veriut, ma merr mendja , i vendosur krah për krah me Stojan Andovin, spikerin më permanent. Një provim i dhënë me sukses jo veç para elektoratit shqiptar, por para gjithë atij maqedonas me respektin që e fitoi ai. Kur BDI-ja del me idenë e kryeministrit shqiptar, është legjitime nga opozita shqiptare të quhet populizëm ose demagogji, ose nga LSDM-ja “jo, kurrsesi”, por, jeta ka sprovat e veta dhe ato tregojnë diçka tjetër. Është një çështje se a do të fitojë “kryeministri” shqiptar në vetë zgjedhjet, dhe tjetër a mund të bëhet pastaj, edhe pa fituar. Dihet, kryeministrin e determinon fitorja në zgjedhje, por dhe marrëveshjet për koalicion, me fjalë tjera, pazaret politike. Pra, nëse është garuar për kryetar, mund të shtrojmë të njëjtën pyetje: pse të mos garohet edhe për kryeministër?

Të jemi realë, duket se rrethanat e përgjithshme nuk premtojnë shumë për fitoren e kandidatit shqiptar për kryeministër, por synimi është i pakontestueshëm. Nëse kthehemi te mobilizimi i votuesve, çfarë synon ideatori, hëm…kush mund të përjashtojë edhe diçka të tillë! Ne nuk e dimë se si pandemia do të reflektohej në jehonën e votuesve. Bie fjala, a do të jenë shqiptarët më të guximshëm për të dalë në votime se trupi votues i partive maqedonase? Krijimi i një raporti të ri, utopi? Ndoshta. Dhe po s’doli si opsion fitues “kryeministri shqiptar”, përvoja na mëson diçka tjetër. Në zgjedhjet e fundit, pakashumë partitë shqiptare vunë disa objektiva, të cilat pastaj, në një platformë të përbashkët, ua ofruan partive maqedonase si kusht për bashkëqeverisje kur numrat e tyre ishin determinues për koalicionim(ju kujtohet “platforma e Tiranës”?) dhe përmes saj u jetësuan disa synime të kahershme(zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe…). Këtë platformë ishin të gatshme ta pranojnë që të dy partitë maqedonase. Çka dua të them? Çka nëse në një raport forcash të barabarta, blloku politik shqiptar bëhet unik dhe vë një kusht “të pamundshëm”(“një propozim të pamoralshëm”, sipas filmit të Robert Redfordit) që kësaj radhe kryeministri të jetë shqiptar? Këtë s’do ta kapërdinin partitë maqedonase, e di…Por përvojat na mësojnë në shumë vende. Në Kosovë disa herë kryeministri nuk ka qenë i partisë së parë(edhe tash është i partisë së dytë)! Ka pasur raste bile, si Ibrahim Rugova, që ka preferuar të jetë kryetar shteti para se të jetë kryeministër, vend të cilin ia ka pasë ofruar liderit të partisë së tretë! Të mos harrojmë, shumëçka diktojnë nevojat pragmatike në kuadër të marrëveshjeve politike…

Pra, edhe ideja e BDI-së, sadoqë mund të duket populiste(si synim, strategji ose koncept politik), nuk mund të hidhet poshtë, se nuk është në kundërshtim me asnjë parim demokratik e as të drejte kushtetuese juridike ku qytetarët janë të barabartë. Le të jetë edhe një testim edhe për kapacitetet demokratike të subjekteve të tjera të bllokut maqedonas. Fara e një ideje mund të hidhet në ujë, e të mbijë në të thatë, mund të mbillet në vjeshtë e të vilet në pranverë a verë, mund të vilet në një stinë të mbjellash e të vilet pas ca stinësh…Edhe vënia si objektiv “kryeministrit shqiptar” mund të jetë një tentim për të parë ose madje sprovuar fatin, aq më tepër që vështirë se votuesit shqiptarë, madje edhe oponenca, mund të kenë argumente kundërshtuese të kësaj ideje.