Kryeministri paralajmëron lehtësim të masave pasi ka rënë numri i të infektuarëve me COVID-19

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor për kontributin në normalizimin e situatës me koronavirus.

Kurti ka thënë se pas masave të vëna me 15 prill situata ka filluar të normalizohet.

“Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.Duke ju falenderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se tash e tutje jemi në gjendje të nisim lehtësimin gradual të masave.

“Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë”, ka shkruar Kurti./GazetaExpress/