Kryeministri Kurti priti Gjon Muharremajn, i cili përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision”

Krejt çka dëshiron Gjon Muharremaj është që muzika e tij të lë gjurmë te njerëzit, qoftë gëzim apo melankoli. Thjesht unë dua që njerëzit ta ndjejnë muzikën time në të gjitha mënyrat e mundshme, tha këngëtari shqiptaro–zviceran gjatë bisedës me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin në zyrën e tij.

Kryeministri Kurti e përgëzoi këngëtarin për emocionet që ju dhuron njerëzve me zërin e tij të kristaltë dhe për përfaqësimin dinjitoz dhe arritjen kulminante në garën e Eurovisionit 2020, ku ai përfaqësoi Zvicrën, me këngën “Tout l’univers”. “Arritja më e madhe e një artisti është kur arti i tij stepë pa joshje shikuesin apo dëgjuesin. Ti Gjoni e ke arritur këtë në ‘Eurovision’”, i tha kryeministri fituesit të vendit të tretë të garës evropiane të këngës.

Gjon Muharremaj e falënderoi kryeministrin për vlerësimin dhe tha se është i lumtur që më interpretimin e tij e ka bërë krenar popullin shqiptar kudo që është. “Për mua merr më shumë kuptim kjo krenari meqenëse unë jam fëmijë i një babai nga rrethina e Suharekës në Kosovë dhe e një nëne nga rrethina e Tiranës, në Shqipëri”, tha ai.

Gjon Muharremaj, performon me nofkën Gjon’s Tears (Lotët e Gjonit). Ky emër i referohet një përjetimi të fëmijërisë, kur si nëntëvjeçar kishte performuar në piano për gjyshin e tij, të cilit i kishin rrjedhur lotët nga emocioni teksa i nipi këndonte.

Këngëtari 23- vjeçar, që me zërin e tij unik ka fituar admirimin e miliona adhuruesve anekënd globit e njoftoi kryeministrin për planet që i ka në të ardhmen, ofertat e shumta muzikore dhe koncertet që planifikon t’i realizojë në vendlindjet e prindërve, si edhe nëpër shtete të tjera të Evropës, gjithnjë duke i respektuar masat për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të virusit. “Po provoj të jem një dritë e vogël në këtë situatë të pandemisë”, tha ai.