Kryeministri izraelit Naftali Bennett mori një letër kërcënuese të martën që përmbante një plumb, njoftuan mediat lokale. Korporata e Transmetuesit Publik Izraelit (KAN) raportoi se policia ka nisur një hetim për letrën, e cila u dërgua në shtëpinë e kryeministrit Bennett në qytetin Ra’anana në Izraelin qendror. Agjencia e sigurisë së brendshme të Izraelit Shin Bet dhe policia po punojnë për të zbuluar burimin e letrës.
Shin Bet ka rritur gjithashtu sigurinë për familjen e Bennett-it.
“Pavarësisht se sa e thellë mund të jetë grindja politike, ajo nuk duhet të arrijë nivelin e dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve me vdekje”, tha Bennett në një postim në Twitter. “Duhet të bëjmë gjithçka, si liderë dhe si qytetarë, e ardhmja e të cilëve dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre është në këtë vend, që thjesht të mos ekzistojnë fenomene të tilla”, tha ai. “Ne jemi të gjithë njerëz. Argumentet dhe mosmarrëveshjet – po. Ngacmime dhe kërcënime – jo”, tha Bennett.
“Përveç se jam politikan dhe kryeministër, jam edhe bashkëshort dhe baba. Kështu që unë duhet të mbroj edhe gruan dhe fëmijët e mi”, vuri në dukje ai. Kryeministri izraelit u bëri thirrje politikanëve, veçanërisht atyre që përdorin në mënyrë aktive mediat sociale, për qetësi dhe pajtim. Policia izraelite kishte marrë masa ndaj disa shtetasve me arsyetimin se ata e kishin kërcënuar më parë Bennett-in./Anadolu Agency/