Kryeministri Hoti në katër fjali bën pesë gabime drejtshkrimore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka publikuar një shkrim në rrjete sociale për përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Në të janë pesë gabime drejtshkrimore.
Në fjalinë e parë, fjalën “vjet” e shkruan “vjetë”, ndërsa fjalën “Murit” e shkruan me shkronjë të vogël, “murit”, ndonëse bëhet fjalë për një objekt të përveçëm.

Në fjalinë e dytë, mbiemrin “gjermanogjerman” e shkruan “gjermano – gjerman”. Mbiemrat që formohen nga bashkimi i dy mbiemrave që tregojnë përkatësi etnike apo prejardhje gjeografike shkruhen ngjitur, pa vizë në mes dhe pa hapësira mes vizës lidhëse dhe pjesëve të fjalës.

Në fjalinë e tretë, mbiemrin “qenësor” e shkruan në formën e shumësit, “qenësorë”, ndonëse ky mbiemër vjen pas emrit në numrin njëjës, “kontribut”.
Në fjalinë e pestë, mungon trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë të numrit njëjës në rasën kallëzore. Duhet të jetë “kontributin që e ka dhënë” e jo “kontributin që ka dhënë”.

Përveç kësaj, Kryeministri e ka ngatërruar bashkimin e Gjermanive me rrëzimin e Murit të Berlinit. Sot nuk është 30-vjetori i rrëzimit të Murit të Berlinit, por bashkimi i dy Gjermanive.
Bashkimi i dy Gjermanive ka ndodhur më 3 tetor 1990, ndërsa rrëzimi i Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Këto data i tregon edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.