Kryeministri bën thirrje të mos shpallet e përfunduar lufta ndaj COVID-19, s’është momenti për relaksim


Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth situatës me pandeminë Covid-19 në vend si dhe menaxhimin e saj. Kurti ka deklaruar se shifrat e personave të shëruar janë lajme të gëzueshme. Mirëpo sipas tij, tash nuk është momenti për tu relaksuar. Kurti ka bërë thirrje që të shmangen vizitat familjare dhe shoqërore

“Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti.

Tutje kryeministri në detyrë, u shpreh se gjatë 13 ditëve të fundit, çdo mbrëmje kemi pasur arsye për t’u gëzuar sepse ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar. “Në dy javët e fundit kemi 460 të shëruar e vetëm 90 të infektuar (pra, mbi pesëfishin)”, thotë ai.

Ai thotë se jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e ti.

“Sigurisht se kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja. Andaj, le të vazhdojmë të respektojmë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së. Të shmangim vizitat familjare dhe shoqërore”, shtoi Kurti.