Kryediplomatja kosovare: Vuçiqi si këlysh i Rusisë po e kërcënon rajonin me luftë të re

Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur Aleksander Vuçiqin “këlysh të Rusisë”, i cili bashkë me Moskën zyrtare po tentojnë ta minojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. Ky reagim i ministres kosovare ka ardhur pasi Vuçiqi ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Ajo ka thënë se ish-ministri i Informacionit gjatë regjimit të “Kasapit të Ballkanit”, pasi furnizoi me armë palët në betejën Nagorno-Karabak, po tenton të nxisë luftëra të reja në Ballkan. “Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit, tani po kërcënon të gjithë NATO-n si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan”, ka deklaruar Haradinaj.

Ajo e ka quajtur Vuçiqin “këlysh të Rusisë” meqë sipas saj ai shërben si dorë e zgjatur e propagandës ruse për minimin e sigurisë në Ballkan. “Politika dhe qasja e “këlyshit Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe me siguri do të dështojnë njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n” ka shkruar tutje udhëheqësja e dikasterit të Punëve të Jashtme duke iu referuar fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Gjatë një fjalimi me të cilit iu drejtua popullit serb sot, kryeministri Vuçiq deklaroi se në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje, një konflikt i ngjashëm sikurse Nagorno-Karabak mund të ndodhte mes dy vendeve. “Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi ai.