Kryediplomati grek thotë se Greqia do të abstenojë në kërkesën e Kosovës për KiE

“Siç kemi bërë në të kaluarën në raste të ngjashme, Greqia do të abstenojë nga ky votim. Me fjalë të tjera, nuk do të mbështesim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës për arsye politike”.

Kështu tha kryediplomati grek, Giorgos Gerapetritis duke folur për radion greke “KanaliEna”, teksa ka nënvizuar se “Greqia mbetet parimore në politikën e saj të jashtme”.

Ai ka shtuar se do të inkurajojnë diskutimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por varet edhe nga vullneti i palëve për t’u lidhur me të drejtën ndërkombëtare.

“Ne do të vazhdojmë në këtë logjikë parimore, inkurajojmë diskutimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duam zgjidhje paqësore të dallimeve, por varet edhe nga vullneti i palëve për t’u lidhur me të drejtën ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Gerapetritis.

Nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, votimi do të mbahet majin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të Këshillit Evropian.

Këshilli përbëhet nga ministrat e jashtëm të 46 vendeve anëtare, duke përfshirë vendet që nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Pak ditë më parë, Komiteti Politik dhe Demokraci i Këshillit të Evropës dha dritën jeshile, duke miratuar raportin e raportueses Dora Bakoyannis, e cila argumentonte se Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim.