Krye-virologu gjerman: Masat ishin të tepruara, u futëm shumë shpejt në izolim

A ishin të tepruara masat për koronavirusin e ri?

Krye-virologu gjerman, Hendrik Streeck ka dyshimet e tij. Ai ka kritikuar izolimin në Gjermani, duke thënë se prodhoi pasoja serioze.

“Masat e mëtejshme, si ajo e kufizimit të kontakteve, duhet të ishin vendosur në varësi të ecurisë së situatës,” thotë ai.

“Në vend të kësaj, Gjermania u fut në izolim shumë shpejt”, shton ai.

Sipas Streeck, kjo erdhi edhe për shkak të shqetësimeve për kapacitetet e spitaleve, por edhe sepse kishte një presion nga publiku.

Virologu thotë se nëse do të ketë një tjetër shpërthim të madh, duhet bërë kujdes që të mos merren të tilla masa kaq të ashpra.

Ai thotë se pamjet që erdhën nga Bergamo, të kamionëve me arkivolë, krijuan një panik edhe mes vendimmarrësve.

Në fund, virologu thotë se koronavirusi nuk pritet të ndikojë te numri i përgjithshëm i vdekjeve vjetore në Gjermani.

“Nuk besoj se do kemi më shumë vdekje në fund të vitit,” tha ai.

Sipas tij, mosha mesatare e viktimave ishte 81, që është mbi mesataren e jetëgjatësisë në vend.