Kriptovalutat ende të pasigurta, vidhen 570 milionë dollarë nga një blockchain i lidhur me Binance

Një blockchain i lidhur me bursën më të madhe për shkëmbimin e kriptovalutave Binance është goditur nga një sulm kibernetik që i ka kushtuar 570 milionë dollarë. Shefi ekzekutiv i Binance, Changpeng Zhao njoftoi në Twitter se kriptovalutat ishin vjedhur nga një “urë” e blockchainit i përdorur nga BNB, i cili ishte i njohur si Binance Smart Chain.

Zhao tha se hakerët vodhën kriptovaluta me vlerë rreth 100 milionë dollarë. Zëdhënësi i Binance tha në komentet e dërguara me email se “shumica” e BNB mbeti në adresën e portofolit dixhital të hakerit, ndërsa rreth 100 milionë dollarë ishte “i pambuluar”.

“Urat Blockchain” janë bërë gjithnjë e më shumë shënjestër e vjedhjeve, të cilat kanë pllakosur prej kohësh sektorin e kriptovalutave. Sipas Chainalysis, rreth 2 miliardë dollarë kriptovaluta është vjedhur në 13 hakime të ndryshme të urave, kryesisht këtë vit.

Në mars, hakerët vodhën rreth 615 milionë dollarë nga Ronin Bridge, e përdorur për transferimin e kriptove brenda dhe jashtë lojës Axie Infinity, në një nga grabitjet më të mëdha të kriptovalutave në rekord. Shtetet e Bashkuara lidhën hakerat e Koresë së Veriut me vjedhjen. /Telegrafi/