Krim urbanistik në Strugë: Prokuroria me akuzë kundër Ramiz Merkos dhe disa personave tjerë për ndërtim të paligjshëm

Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë kundër 11 personave fizik dhe një personi juridik lidhur me ndërtimin e paligjshëm të objektit në afërsi të pishinës së hotelit “Drim”, në këtë rast akuzohet edhe kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, raporton Portalb.mk.

Në maj të vitit 2019, personi juridik dhe menaxheri i tij paraqitën kërkesë për rikonstruksionin e plotë të pishinës ekzistuese të hotelit bazuar në një projekt bazë të përgatitur në vitin 2016.

Kryetari i Komunës së Strugës, i pandehuri i tretë në këtë rast, duke vepruar sipas kërkesës, në vend që ta refuzojë atë apo të lejojë rikonstruimin në përmasat ekzistuese të objektit, në korrik të vitit 2019 ka dhënë leje ndërtimi, e cila i mundësoi investitorit të ndërtojë dhe të ketë përfitime – pasuri të paluajtshme, pra një kat shtesë të objektit me galeri të hapur dhe tarracë, me sipërfaqe totale bruto 513 m2 dhe me vlerë të parashikuar 781 527 euro.

“ Me këtë ai ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare, ka vepruar përtej kërkesës për rikonstruim dhe në kundërshtim me procedurat e parashikuara në Ligjin e Ndërtimit, me qëllim që dikush tjetër të ketë përfitim pasuror”, tha Prokuroria.

I akuzuari i katërt dhe i pestë janë edhe zyrtarë – nëpunës dhe udhëheqës të Departamentit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Strugës, të cilët kanë përgatitur dhe miratuar lejen e ndërtimit, duke vepruar në mënyrë të pakujdesshme në ushtrimin e kompetencave dhe detyrave të tyre.

“Në bazë të këtij miratimi të lëshuar në mënyrë të kundërligjshme, investitori- personi juridik i akuzuar dhe menaxheri kanë filluar ndërtimin e objektit dhe në vend të katit të miratuar – galeri e hapur me tarracë, kanë ndërtuar një kat tërësisht të mbyllur me apartamente hoteliere dhe një spa qendër dhe një kat me një seksion restoranti të mbyllur dhe hapësira ndihmëse. Sipërfaqja e përgjithshme e këtij objekti të ndërtuar pa leje në kundërshtim me lejen e ndërtimit është 1630 m2”, thanë nga Prokuroria.

Shtatë të pandehurit e tjerë të rastit janë ekspertë të fushës së ndërtimit, arkitekturës dhe urbanistikës të cilët kanë dhënë konstatime dhe mendime të rreme në procedimin penal për ndërtim pa leje.

“Prokuroria Themelore Publike e Strugës, duke udhëhequr hetimin e këtij rasti, ka urdhëruar tre ekspertiza– në vitin 2021, 2022 dhe 2023 nga ekspertë të ndryshëm nga zonat e përmendura, të cilët në konstatimet e tyre pretenduan se objekti i ndërtuar pa leje, sipas përmasave, sipërfaqes së brendshme dhe lartësisë i përgjigjet dokumentacionit teknik nga projekti bazë. Ata nuk kanë bërë vërejtje shtesë për gjendjen aktuale në vend, ndërsa të gjitha devijimet i kanë deklaruar si ndryshime të rregulluara me ligj gjatë ndërtimit”, theksuan nga Prokuroria.

I akuzuari i parë juridik dhe menaxheri akuzohen për veprën penale Ndërtim pa leje nga neni 244a, kryetari i komunës për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, dy zyrtarët tjerë në komunë si bashkëkryetarë të veprës penale – Keqpërdorim i pozitës nga neni 353-c, dhe ekspertët akuzohen për veprën penale – Deklaratë e rreme sipas nenit 367 të Kodit Penal.

Kujtojmë që kryetari i Komunës së Strugës Ramis Merko është i përfshirë edhe në vepra dhe keqpërodrime të tjera.

Ai akuzohet se pa miratimin paraprak të Planit Vjetor për Prokurim Publik nga Këshilli i Komunës dhe në kushtet kur komuna kishte një llogari të bllokuar, ai ka blerë 4 automjete, përfshirë edhe veturën Audio A6 në vlerë prej gati 67 mijë euro.

Ai gjithashtu hetohet edhe për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorime tjera gjatë emërimit të drejtorëve në disa shkolla të Strugës.

Në momentin që disa raste gjyqësore ndaj Merkos ishin të hapura, më 20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit e shpalli non grata, Ramiz Merkon.