Krim monstruoz në Serbi: Babai vret të birin me thikë, pastaj kryen vetëvrasje

Një djalë njëzetvjeçar ka humbur jetën nga gjakderdhja në rrugë në Krushevac pasi ishte therur me thikë, dhe dyshohet se është sulmuar nga vetë babai i tij, pas çka ky i fundit ka kryer vetëvrasje. Rasti u zbulua pasi në polici u raportua se një i ri i përgjakur po ecte nëpër rrugë. Siç shkruajnë mediat serbe, qytetarë të frikësuar kanë thirrur dhe raportuar se një i ri, i mbuluar në gjak, po ecte nëpër rrugë. Një patrullë policie doli menjëherë në vendngjarje, por e gjeti të riun e pafat të shtrirë në beton, pa shenja jete. Pas kësaj, patrulla policore u drejtua drejt shtëpisë së të riut, ku jozyrtarisht është gjetur edhe trupi i një burri, i cili është babai i të vrarit. Sipas mediave të Beogradit, me shumë gjasë bëhet fjalë për një vrasje dhe vetëvrasje. Sipas disa mediave, vrasjes i ka paraprirë një debat. Thuhet se babai e ka sulmuar djalin me thikë në shtëpinë familjare, dhe pas plagëve të marra, i riu i plagosur ka ikur dhe ka humbur jetën nga gjakderdhja në rrugë. Policia dhe prokuroria kanë kryer hetime. Trupat janë dërguar menjëherë për autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes.