Krijohet kamera më e vogël në botë, teknologjia e saj është e mahnitshme


Edhe pse është sa një kokërr gruri, një kamera e re mikroskopike mundet të fotografojë imazhe të qarta e me ngjyra të gjalla në krahasim me lentet e zakonshme. Pajisja ultra-kompakte është krijuar nga një grup shkencëtarësh të universiteteve të Prinstonit dhe Uashingtonit.

Kjo pajisje e pëbërë nga një strukturë e ngjashme me xhamin ka arritur të zgjidhë problemet e kamerave të tjera mikroskopike që fotografonin imazhe të turbullta dhe me një fushë të kufizuar pamore. Tashmë ajo mund të përdoret te robotët që të shohin mjedisin rrethues ose nga mjekët që të shohin problemet brenda trupit njerëzor.

Teknologjia e saj është e mahnitshme: “metasipërfaqja” përmban 1.6 milionë shtyllëza cilindrike, secila me madhësin e virusit HIV, të cilat modulojnë sjelljen e dritës. Sipërfaqja është vetëm 0.5 milimetra dhe shtyllëzat kanë një formë unike që i lejon të veprojnë si antena. Algoritmet interpretojnëë ndërveprimin e secilës prej tyre me dritën duke e shndërruar më pas në një imazh.

Fotografitë janë me cilësinë më të lartë dhe fushëpamjen më të gjerë referuar kamerave mikroskopike të ndërtuara deri më tani.