Kreu i OKB-së del kundër Izraelit: Po shtyp palestinezët prej 56 vjetësh

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka përsëritur kërkesën e tij për një armëpushim në Gaza duke u shprehur se në luftën midis Izraelit dhe grupit të armatosur palestinez Hamas po shkelej ligji ndërkombëtar. Izraeli ka bombarduar pa pushim Rripin e Gazës të rrethuar që nga 7 tetori, kur Hamasi nisi një sulm të befasishëm në Izraelin jugor duke vrarë të paktën 1400 njerëz sipas autoriteteve izraelite.

Pas sulmit, Izraeli ndërpreu furnizimet me ujë, ushqim, karburant dhe energji elektrike për 2.3 milionë banorët e enklavës, një akt që OKB-ja e ka quajtur një formë ndëshkimi kolektiv. Ai gjithashtu nisi një sulm në territor duke vrarë të paktën 5791 njerëz, sipas autoriteteve në Gaza, e cila qeveriset nga Hamasi.

Më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur, pasi Izraeli urdhëroi banorët e Gazës veriore të evakuoheshin në jug, por sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar në të gjithë territorin. Duke folur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Guterres u lut që civilët të mbroheshin dhe paralajmëroi se luftimet rrezikonin një zjarr më të gjerë në rajon.

“Është e rëndësishme të pranohet se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakuum. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet. Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez” – tha ai.

Guterres kritikoi gjithashtu Izraelin pa e përmendur atë, duke thënë se “të mbrosh civilët nuk do të thotë të urdhërosh më shumë se 1 milion njerëz të evakuohen në jug, ku nuk ka strehim, nuk ka ushqim, nuk ka ujë, nuk ka ilaçe dhe nuk ka karburant, dhe më pas të vazhdosh të bombardosh edhe vetë jugun”.

Komentet e Sekretarit të Përgjithshëm u pritën me zemërim nga ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, i cili e quajti fjalimin “tronditës”. “Deklarata e tij se “sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakuum” shpreh një mirëkuptim për terrorizmin dhe vrasjen” – shkroi Erdan në X. “Është vërtet e trishtueshme që kreu i një organizate që u ngrit pas Holokaustit ka pikëpamje kaq të tmerrshme.”

Në fjalimin e tij, Guterres e quajti sulmin nga Hamas “të tmerrshëm dhe të paprecedentë” dhe kërkoi lirimin e rreth 200 njerëzve të kapur dhe të mbajtur rob nga Hamasi. Më herët, agjencitë e Kombeve të Bashkuara bënë një thirrje “në gjunjë” që të lejohet hyrja e ndihmave urgjente në Gaza, duke thënë se nevojiteshin më shumë se 20 herë dërgesat aktuale. Një sasi e vogël ndihme humanitare ka hyrë në Gaza që nga e shtuna nga pala egjiptiane, por Guterres e quajti këtë ndihmë të kufizuar “një pikë ndihme në një oqean nevoje”.