Sot në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kreu i BDI-së Ali Ahmeti kishte ftuar për takim të përbashkët liderët e partive shqiptare. Por ky takim do të rezultojë i pasukseshëm, pasi që nuk do të shkojnë liderët e partive politike shqiptare. Kryetarët e ASH, Alternativa dhe Lëvizja BESA kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë, por nuk dihet se a do të jetë kreu i PDSH-së.
Në letrën drejtuar Ahmetit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi si partner të koalicionit ASH-AAA kanë theksuar se parimisht janë dakord për një takim të tillë për koordinim të qëndrimeve të partive shqiptare, por kërkuan të saktësohet rendi i ditës dhe takimi të shtyhet për ndonjë ditë tjetër pas 17 korrikut. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami po ashtu dje informoi se nuk do të jetë pjesë e takimit, por është i hapur për takime të tilla. Ndërkohë, nuk ka asnjë përgjigje nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Nga kjo parti nuk kanë folur se a do të jetë apo jo kryetari i tyre sot në mesditë në hotelin Park në Shkup. Ahmeti nuk ka hequr dorë nga ky takim, dhe se ai do të jetë i pranishëm, ku pritet të përcjell mesazhe për partitë politike, në këtë periudhë të përpjekjeve për formimin e Qeverisë së re. Nga kjo parti kanë përcaktuar edhe agjendën e tryezës së përbashkët të partive shqiptare. “Për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese: Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar, -Vlerësim i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 15 korrikut 2020 Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta”, nënvizon BDI në përgjigjen drejtuar partive të tjera parlamentare shqiptare.